Imuniteti rajonal: Pse Azia shmangu më të keqen e Covid-19

schedule13:23 - 16 Janar, 2021

schedule 13:23 - 16 Janar, 2021

WorldCrunch

Tokio – Është një nga misteret më të mëdhenj të pandemisë Covid-19. Vendet në Azinë Lindore u prekën nga koronavirusi disa javë para Europës dhe Shteteve të Bashkuara, e megjithatë ato ishin më të afta që tzbulonin dhe t`a kalonin krizën shëndetësore. Pavarësisht valëve të pandemisë, shifrat sa i përket numrit të viktimave  ishin shumë më të ulëta në krahasim me Perëndimin.

Së bashku, 10 vendet anëtare të ASEAN (Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tailanda, Brunei, Vietnami, Laosi, Birmania dhe Kamboxhia), dhe vendet e zhvilluara të Azisë Verilindore (Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani), kanë regjistruar vetëm 44.000 viktima të lidhura me Covid-19, që prej janarit të vitit 2020.

Pra 2.4 për qind të 1.8 milion viktimave në të gjithë botën. Kjo shifër është më e vogël se 65.000 viktima të regjistruara në Francë. Dhe për t`a vënë në perspektivë këtë krahasim, me 2.3 miliardë banorë, Azia Lindore përbën 30 për qind të gjithë popullsisë botërore.

Pavarësisht nga niveli i zhvillimit apo fuqia e shtetit të tyre, të gjitha territoret në këtë rajon kanë regjistruar një numër jashtëzakonisht të ulët të viktimave për 1 milion banorë. Raporti është 0.36 në Vietnam, 0.29 në Tajvan dhe 3.4 në Kinë. Kamboxhia dhe Laosi nuk kanë identifikuar asnjë viktimë të vetme në 11 muaj.

Për krahasim, numri i të vdekurve në Francë është 970 për 1 milion banorë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 1.034 viktima për 1 milionë banorë. Japonia dhe Koreja e Jugut, janë përballur nga nëntori me një shtim të numrit të infektimeve. Por gjithsesi, mbetet një numër shumë i kufizuar i rasteve.

Në një nga ditët e saj “më të këqija”, 31 dhjetor 2020, Japonia identifikoi 4520 raste pozitive në 126 milion njerëz. Ndërsa më 20 dhjetor, Koreja e Jugut theu rekordin e saj me 1.097 raste pozitive në 24 orë. Në fillim të janarit 2021, këto dy vende kishin regjistruar një total prej 4.284 viktimash që nga fillimi i pandemisë, më pak sesa numri më i madh i viktimave në SHBA në një ditë të vetme.

Kjo diferencë e madhe e Azisë dhe pjesës tjetër të botës, ka gjeneruar muajt e fundit një mori bisedimesh mbi “paaftësinë” ose “efektivitetin” e qeverive të ndryshme, ndërsa të tjerët flasin për një “disiplinë” të pabesueshme,apo për një “veçanti kulturore” të popullatave në Lindje.

Madje, disa analistë televizivë tallen me “autoritarizmin” e supozuar të kryeqyteteve aziatike si Pekini. Por në realitet, shumë vende në rajon i kanë mbijetuar krizës, pa shkelur kurrë liritë themelore të qytetarëve të tyre. Për shembull, në Japoni nuk është vendosur asnjë kufizim ndaj popullatës.

Në Korenë e Jugut, asnjë kufizim i lëvizjes nuk është zbatuar në të gjithë vendin. As Tajvani nuk ka zbatuar ndonjë bllokim të plotë. Në gjithë kontinentin aziatik, njerëzit pranuan shpejt të mbanin maska pa diskutuar shumë, pasi vendosja e kësaj mase mbrojtëse ishte tashmë praktikë e zakonshme në Japoni dhe Korenë e Jugut.

“Dallimet e mëdha me Perëndimin, kanë qenë mbylljet e rrepta të kufirit, dhe testimi rigoroz i njerëzve të infektuar, qofshin ata të sëmurë apo asimptomatikë”- thotë profesor Teo Jik Jing, dekan i Shkollës së Shëndetit Publik në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Por ndërsa konfirmojnë peshën e faktorëve socio-politikë, shkencëtarët janë ende të habitur nga performanca e jashtëzakonshme e Azisë, dhe tani po reflektojnë mbi një shpjegim të një natyre më mjekësore. 

Po sikur popullatat aziatike të jenë natyrshëm më rezistente ndaj koronavirusit?

A mund të ketë një lloj “imuniteti aziatik” të shkaktar nga epidemitë e kaluara, apo edhe tiparet gjenetike?

 Në Tokio, një numër studiuesish janë të bindur mbi vlefshmërinë e këtyre hipotezave. Në përpjekje për t’i konfirmuar ato, Tatsuhiko Kodama, nga Universiteti i Tokios, ka analizuar përgjigjen imune të më shumë se 100 njerëzve të infektuar me koronavirus në Japoni, këto muajt e fundit.

Ai u befasua kur zbuloi nivelin e lartë të një lloji të veçantë të antitrupave në gjakun e të gjithë pacientëve të tij. Zakonisht, kur një pacient sulmohet nga një substancë e huaj e panjohur, sistemi i tij imunitar gjeneron në fillim një antitrup të quajtur “IgM” për të mbrojtur veten ndaj virusit.

Disa ditë më vonë, kur sistemi i tij imunitar e ka neutralizuar sulmin e parë dhe ka nisur të ndërtojë një memorie imune, ai do të gjenerojë një lloj të dytë të antitrupave të quajtur “IgG”.

Sipas studiuesit, popullatat e Azisë Lindore, kanë zhvilluar natyrshëm një formë rezistence ndaj SARS-CoV-2.

Kjo,pasi ata tashmë janë ekspozuar gjatë gjithë jetës së tyre, ndaj një morie virusesh të tjerë më pak të egër të koronavirusit. 

“Nuk është vetëm MERS apo SARS, por shumë viruse të tjerë të një lloji të ngjashëm që qarkullojnë. Kjo shpjegon se përse numri i të viktimave është kaq i ulët në Azinë Lindore”-thotë ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!