Hallaçi: Situatë e tmerrshme, titulli as duhet përmendur më!

schedule20:23 - 15 Janar, 2021

schedule 20:23 - 15 Janar, 2021

Rraman Hallaçi, trajneri i Kukësit, pas humbjes së katërt të verilindorëve, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport foli për atë që dha skuadra e tij në fushën e blertë. Kritikat nuk mungojnë dhe ish-kapiteni i Kukësit e pranoi se janë në një krizë të thellë që nuk e kanë kaluar asnjëherë në Superiore në këto vite.

“Situatë e tmerrshme, kërkova që të mos humbnim. As nuk barazuam dhe është situatë shumë e vështirë. Jemi në krizë totale. Nuk kishim asnjë mundësi me Vllazninë në këtë moment. Ishin më lart, ishin më të lirshëm edhe prej pikëve që kanë. Kishim kërkuar të rrinim mbrapa. Pjesën e parë e arritëm, kërkova edhe në të dytën të njëjtën gjë. Pësuam nga një gabim teknik dhe më pas nuk reaguam dot. Jemi në një situatë shumë të vështirë”.

“Nuk duhet përmendur titulli kampion, vetëm si të dalim nga kjo situatë duhet të mendohet. Kemi lojtarë cilësorë, por nuk jemi aty ku duhet. Po vuajmë shumë si skuadër kur e ka topin kundërshtari. Hapur ia kërkova skuadrës që të merrnim një pikë. Kaq ishte mundësia, se çfarë do bëjmë më pas do flasim me drejtuesit dhe do shohim çfarë do bëjmë”.

Normalisht ka ngërç psikologjikisht. Nuk është justifikim ai. Duhet të japim maksimumin. Ka qenë i pranishëm, kemi qenë të rënduar moralisht, por në fushë lojtarë me eksperiencë duhet të marrin diçka më shumë përsipër. Kukësi nuk ka qenë kurrë në këtë situatë.

“Nuk është çështje vetëbesimi. Vllaznia edhe të humbte nuk e kishte problem. Është e pafalshme që nuk morën një pikë. Situata është shumë e ndërlikuar. Kemi shumë lojtarë cilësorë, por në fushë nuk i shfaqëm. Kur nuk marrim dot një pikë jemi për t’u kritikuar”.

“Kalendari i favorshëm? Nuk mund të them se Vllaznia është e vështirë apo Apolonia e lehtë. Problemi është te vetja, si do bashkohemi për ta kaluar këtë situatë. Në fushë është ndryshe nga analizat që bëjmë. Duhet të luftohet, duhet ego dhe karakter për të dalë nga kjo situatë. Momentalisht jemi të zhytur”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!