Policia italiane ka sekuestruar një anije me flamur panamez, ku ndodheshin 20 ton hashash dhe 400 mijë litra naftë për një vlerë rreth 200 milionë euro. Në pranga kanë përfunduar 11 shtetas nga Mali i Zi.
Guardia di Finanza në Palermo ka sekuestruar më shumë se 20 ton hashash, 400 mijë litra naftë si dhe anijen që i transportonte, “Remus”, e cila kishte flamur panamez. Policia italiane ka vënë në pranga 11 anëtarët e ekuipazhit, të gjithë nga Mali i Zi. Anija ishte sinjalizuar në ujëra ndërkombëtare dhe më pas ishte shoqëruar nga marina ushtarake deri në portin e Palermos për inspektim.
Pas zbrazjes së dy serbatorëve me naftë janë gjetur më shumë se 650 çanta me 20 ton hashash në 13 cilësi të ndryshme, me vlerë midis 150 dhe 200 milionë euro.
Pasi ishte nisur nga Las Palmas, anija ishte drejtuar për në Turqi, nëpërmjet Egjiptit. E ndjekur gjatë rrugës nga Guardia di Finanza, me avionë të vegjël, kur ndodhej në brigjet e Afrikës së Veriut, anija kishte fikur disa herë transmetuesin për të fshehur pozicionin e saj. /abcnews.al