7 të arrestuar për pjesëmarrje në luftimet në Siri e Irak

schedule17:41 - 7 Gusht, 2018

schedule 17:41 - 7 Gusht, 2018

Autoritetet policore të Maqedonisë kanë arrestuar një grup personash që kishin luftuar përkrah Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Më parë të dyshuarit u kishin shpëtuar dy operacioneve policore të koduar “Celula”.

Policia në Maqedoni ka vënë në pranga 7 persona, nën dyshimin se kanë marrë pjesë në luftërat në rajonin e Lindjes së Mesme, kryesisht në Siri dhe Irak. Për personat e arrestuar, të moshave nga 23 në 47 vjeç, ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare, pasi më parë i kishin shpëtuar dy operacioneve të policisë të koduara “Celula 1” dhe “Celula 2”. Sipas Ministrisë së Brendshme maqedonase, që nga fillimi i luftërave në Lindjen e Mesme nga Maqedonia drejt Sirisë dhe Irakut kanë udhëtuar 156 persona, për të luftuar përkrah Shtetit Islamik.

Sipas autoriteteve vendase, në tërësi shtetasit maqedonas të kthyer nga zonat e konflikteve janë 83, nga të cilët 26 ndodhen në burgjet e vendit dhe 3 të tjerë në burgjet e Turqisë. Ndërkohë, numri i të vdekurve, ndonëse i pakonfirmuar, rezulton 35 persona. 15 të tjerë, mes të cilëve 9 femra, vazhdojnë të marrin pjesë në luftëra; ndërsa 14 personave u është ndaluar përfshirja në konflikt që në vendlindje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!