Përmbytje në Bulqizë, 17 fshatra pa drita, “notojnë” makinat, përrenjtë çajnë rrugët

schedule22:48 - 8 Janar, 2021

schedule 22:48 - 8 Janar, 2021

Reshjet intensive të shiut vijojnë pa ndërprerje ndërsa zona të ndryshme janë përfshirë nga përmbytjet. Problematike paraqitet situata edhe në Bulqizë, ku zona të caktuara janë bllokuar për shkak të përmbytjeve nga reshjet e dendura.

Ndërkohë HEC-i në Ulëz po afrohet në pikën maksimale, ku për 120 cm arrin maksimumin. Dy Hec-et e Ulzës dhe Shkopetit vazhdojnë shkarkimet, ndërsa ende nuk ka informacione zyrtare se sa metra kub/sek shkarkojnë. Shkarkimet mund të përmbysin në dy anët e lumit Mat në Milot dhe Lezhë.

Ndërkohë në fshatin Gurrë të Matit, bllokimi i një tombinoje ka rrezikuar përmbytjen e disa banesave, por pas ndërhyrjes është mundësuar zhbllokimi i situatës.

Situatë problematike ka pasur dhe vazhdon të ketë në brendësi të qytetit të Bulqizës për shkak të prezencës së ujit.

Ka pasur probleme me energjinë elektrike në zonën e Gollobordës ku janë pa energji elektrike 17 fshatra.

Ndërsa në rrethin e Dibrës ka pasur probleme nga përrenjtë malorë të cilët kanë çarë rrugët.

Një përrua në afërsi të Zall-Dardhës ka ndërprerë qarkullimin duke lënë të izoluar 13 fshatra të njësive Zall-Dardhë dhe Reç, edhe pse ditën e sotme raportohet se  është punuar nga një fadromë, por pa rezultat pasi ka shumë prurje dhe rrezikohen mjetet.

Njësia Administrative Lurë është e izoluar pasi një përrua malor ka çarë rrugën në vendin e quajtur Krej Lurë. Lumi Drin i Zi ka dalë nga shtrati në zonën e Zall-Dardhës, Fushë Çidhë dhe Arrasit ku janë përmbytur dhjetëra hektarë toka në dy anët e Drinit. Sakaq reshjet vazhdojnë me intensitet të lartë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!