Disa nga të helmuarit në Elbasan u dërguan mëngjesin e sotëm në Spitalin e Tiranës. Kurse të tjerët ndodhen akoma në spitalin infektiv të Elbasanit. Sipas të dhënave të helmuarit nga ushqimi nuk i përkasin vetëm një dasme, por tri dasmave që janë bërë të dielën në këtë zonë.
Dyshimet e para janë që janë helmuar nga mishi dhe veza, por kjo do të përcaktohet në fund të rezultatit të analizave.
Sipas nëndrejtorit të Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, në Elbasan nuk ka ndonjë rast të rënduar dhe gjendja e përgjithshme e të sëmurëve është e kënaqshme.
Nëndrejtori i Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, Elbasan Luan Rrapi: “Gjithësej janë të shtruar 31 raste të rritur, dy fëmijë në pediatri, 3 raste në gjendje të mesme që u dërguan në Tiranë në QSUT, te shërbimi infektiv dhe 8 raste nga këto 4 fëmijë dhe 4 të rritur kanë marrë mjekim ambulator.
Gjendja e përgjithshme e të sëmurëve është e kënaqshme, nuk shohim ndonjë rast të rënduar nga momenti i shtrimit.
Të gjithëve iu janë marrë analizat dhe korpokultura që del pas 2-3 ditëve që do të na japë një të dhënë se kush është shkaku”. /abcnews.al