Bajerni i Mynihut duket sikur është kthyer në kohën e Pep Guardiolës. Trajneri i ri, Niko Kovaç, po praktikon stilin sulmues, siç u tregua në suksesin ndaj Mançester Junajtidit.
Jo vetëm një fitore, por edhe një filozofi loje. Niko Kovaç po vendos vulën e tij në futbollin e Bajernit të Mynihut, siç u pa në suksesin minimal ndaj Mançester Junajtidit.
Ishte sërish një miqësore vere, veçse e rëndësishme sepse nisja e kampionave është në prag.
Kampionia e Gjermanisë ia doli me një gol shënuar nga spanjolli Havi Martinez në pjesën e dytë, ndërsa dominimi ishte shumë më i madh. Trajneri kroat u duk sikur po rikthente stilin e Pep Guardiolës, me presingun e fortë ndaj kundërshtarëve, duke mos i lënë të organizojnë sulme e të kenë topin në zotërim. Kovaç pati përgjigje të mira nga veterani Riberi, regjisori Tiago Alkantara, si dhe nga lojtarë si Gorecka, Koman apo mbrojtësi i qendrës Zyle. Ky i fundit pritet të ulë në stol lojtarin e kombëtares së Gjermanisë, Zherom Boateng, që kërkohet pikërisht nga Junajtidi.
Murinjo paralajmëroi, ndërkaq, se skuadra e tij ka përpara një sezon të vështirë në Angli, nëse nuk do të ketë ndryshime.
Trajneri portugezi kërkoi nga klubi që të sillte përforcime për të qenë në nivelin e Mançester Sitit apo Liverpulit, ndryshe do të ishte e vështirë të luftohej për tituj.
Junajtid humbi 1-4 ndaj Liverpulit, në një miqësore të mëparshme, po ashtu u mbajt në barazim ndaj ekipeve jo aq shumë të fortë si San Hoze Ërthkuejk dhe Klub Amerika.
Gjithsesi, pati edhe rezultate më inkurajuese, si fitorja me penallti ndaj Milanit, dhe sidomos suksesi 2-1 ndaj Realit të Madridit./abcnews.al