Naço shkon te PS, Xhixho në ABC: Ndoqi interesat e tij personale, LSI nuk dëmtohet

schedule18:13 - 6 Janar, 2021

schedule 18:13 - 6 Janar, 2021

Një vendim personal, për interesat e tij private. Kështu e ka cilësuar nënkryetarja e LSI Erisa Xhixho, largimin e Nasip Naços nga kjo parti.

Ish-ministri i LSI-së, i është bashkuar Partisë Socialiste ndërsa largimin e tij nga LSI ai e njoftoi në krah të ministrit Blendi Klosi, ndërsa e cilësoi partinë në fjalë si një eksperiment politik.

Po ashtu, Xhixho tregoi në një bisedë me Endri Xhafon në ABC se për largimin e Naços nuk ishte e informuar ndërsa shtoi se nuk ka pasur diçka zyrtare, drejtuar LSI-së.

“Mund të them që e shoh si një vendim personal, privat të Naços. Atij i janë besuar disa poste të rëndësishme. Në ato kohë besonte tek vlerat e LSI.”

E pyetur se çfarë mund të qëndrojë pas largimit të Nasip Naços, Erisa Xhixho tha se i takon atij vetë që të sqarojë se cilat ishin arsyet që e bënë që të largohej.

“Naço, që ka ardhur shumë më vonë se mua, ne i kemi besuar disa poste të rëndësishme. Ka qenë ministër i Drejtësisë, i Ekonomisë, dhe i kemi mundësuar që t’i shërbejë vendit. Te tjera vendime, personale, mbeten në tagrin e tij për t’i sqaruar. Për mua, është e rëndësishme, që sot duhet treguar karakter..”

Po ashtu, ajo tha që njerëzit që janë larguar, duhet ta kuptojnë që vendimi i tyre nuk e dëmton Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“…Unë mendoj që janë njerëz që kanë marrë besim të jashtëzakonshëm nga LSI, pastaj nëse këta nuk e kanë kuptuar filozofinë e LSI, është problem individual.”

LSI eksperimet politik?

Erisa Xhixho thotë se kjo është fabul që ndërtohet në opinionin publik, ndërsa shton se e vetmja gjë që ka ndodhur në vite është që LSI vetëm është rritur.

“Vendimi i personave të caktuar, për interesa të caktuara, absolutisht që nuk e dëmton LSI. Më dhemb më shumë për një militant sesa për një individ që ka pasur shansin të shërbejë…Forca e karakterit tregohet të jesh përballë kësaj qeverie e të luftosh për një Shqipëri më të mirë nesër.”

Po ashtu, Xhixho tha se, duke u nisur nga këto largime, LSI duhet të bëjë refleksione “për njerëzit të cilëve u besohet fytyra e partisë. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!