Milani pret një mbrojtës në fundjavë, Lazio merkato te City

schedule13:56 - 6 Janar, 2021

schedule 13:56 - 6 Janar, 2021

Merkato e dimrit ka nisur. Alternativat në këtë seksion merkato nuk janë të shumta, por mjafton që klubet të përforcohen disi në pikat më problematike që kanë shfaqur deri tani. Milani dhe Lazio janë në kërkim të mbrojtësve.

Stefano Pioli pret një qendërmbrojtës dhe i preferuari i kuqezinjve mbetet Mohamed Simakan. 20-vjeçari është pjesë e Strasbourg në Ligue 1 dhe cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj të prapavijës.

Dy klubet po bisedojnë prej kohësh dhe diferenca mes kërkesës dhe ofertës është minimizuar shumë. Te Milani ka optimizëm, teksa Gazzetta dello Sport raporton se arritja e akordit përfundimtar pritet të ndodhë në fundin e kësaj jave. Lazio ka nevojë për një mbrojtës të majtë dhe Igli Tare ka hedhur sytë te Manchester City.

LaLazioSiamoNoi raporton se drejtori sportiv ka piketuar Oleksandr Zinchenko. Ukrainasi është përdoruar pak nga Guardiola këtë sezon. Drejtuesi shqiptar i klubit italian, po tenton të marrë 24-vjeçarin në huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit për shumën e 20 milion eurove. /abcnews.al