Foto ilustruese
Një prej vajzave 16-vjeçare nga Tirana të cilat u gjetën në Përmet pasi ishin zhdukur prej 4 ditësh, ka treguar para grupit hetimor arsyen e largimit nga shtëpia.
Burime bëjnë me dije për gazetaren Xhensila Kodra se ajo ka deklaruar se familjet e tyre kishin konflikte të vazhdueshme ndërsa është shprehur se janë larguar nga shtëpia me dëshirë pasi donin t’i jepnin një mësim familjeve të tyre.
Ajo ka thënë se kishin me vete 400 mijë lekë të vjetra, kursime që i kishin mbledhur vetë. Pasi kanë qëndruar në disa hotele i kanë shpenzuar të gjitha paratë që kishin me vete dhe kishin vendosur të shkonin në polici.
“Familjet tona grinden shpesh, disa herë na bërtisnin edhe neve. U zunë edhe natën e Vitit të Ri. Nga shtëpia kemi ikur me dëshirë. Donim t’u jepnim një mësim familjeve. Me vete kishim 400 mijë lekë të vjetra, janë kursime që i kemi mbledhur ne vetë. Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë atë zonë sepse është vendlindja e gjyshërve, kemi shkuar disa herë më parë për pushime. Kemi fjetur në disa hotele, na mbaruan lekët dhe kishim vendosur të ktheheshim dhe t’i tregonim policisë”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, në polici kanë mbërritur disa telefonata për vendndodhjen e vajzave. Njëra prej tyre ka qenë e pronarit të hotelit në Përmet. Ai ka thënë se në biznesin e tij kanë shkuar dy vajza që nuk ishin të shoqëruar nga familjarët.
Dy vajzat M. H dhe K. A u morën në pyetje në praninë e një psikologut, pasi janë takuar me familjarët në Tiranë, policia i dërgoi në një qendër sociale pasi kishin frikë të ktheheshin menjëherë në shtëpi./mv.abcnews.al