Në orët e para të mëngjesit u luajt sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Libertadores mes River Plate dhe Palmeiras. Skuadra argjentinase ishte favorite, por miqtë nga Brazili siguruan një fitore të pastër me rezultatin 0-3.
Një triumf fantastik për Palmeiras, që ka hedhur një hap të sigurt drejt kalimit në finalen e madhe. Vendasit e nisën mirë ndeshjen. Qarkullim i shpejtë i topit dhe intensitet nga ana e River, që pati disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh.
⏱️¡Terminó el partido!
??⚪️ En Avellaneda, @Palmeiras ganó 3⃣-0⃣ ante @RiverPlate por la ida de las semifinales de la #Libertadores.
?El martes próximo será la revancha en Brasil. pic.twitter.com/xmTuVYlHbO
— CONMEBOL Libertadores (@Libertadores) January 6, 2021
Gjithsesi, golin e gjeti Palmeiras në minutën e 27-të. Largim jo i mirë i topit nga portieri Armani dhe diagonale e menjëhershme e Ronit. Goditja e sulmuesit brazilian në rrjetë dhe 0-1 për ekipin udhëtues.
Palmeiras gjeti sërish rrugën e rrjetës pesë minuta më vonë, por VAR-i anuloi golin. River u mundua të reagonte dhe pati një shans shumë të mirë në minutën e 44-t, por goditja e Ignacio Fernandez përfundoi në traversë.
Kaq për pjesën e parë dhe të dy skuadrat në dhomat e zhveshjes. U mendua që djemtë e Gallardos do të reagonin në fraksionin e dytë të ndeshjes, por diçka e tillë nuk ndodhi. Ish-sulmuesi i Milanit, Luiz Adriano iu shkëput bukur mbrojtjes kundërshtarë në minutën e 47-të dhe 0-2 për Palmeiras.
Një gol që çakordoi plotësisht River Plate, që mbeti me dhjetë lojtarë pas një ore lojë. Jorge Carrascal kreu një faull të rëndë dhe u ndëshkua me karton të kuq. Goditje dënimi për Palmeiras dhe goli i tretë për ta. Uruguaiani Matias Vina devijoi saktë me kokë krosin e ardhur nga krahu i djathtë dhe topi në rrjetë.
River tentoi të gjente golin e nderit, por nuk ia doli të çantë dot mbrojtjen e fortë braziliane. Përfundimisht 0-3 për Palmeiras, teksa sfida e kthimit do të zhvillohet në datë 13 janar në “Allianz Parque” të Sao Paulos.
Sonte në mbrëmje luhet edhe dueli tjetër gjysmëfinal (23:15), një tjetër sfidë mes klubeve argjentinase dhe braziliane. Boca Juniors pret Santos në mitikun “Bombonera”, aty ku do të tentojë fitoren për të hedhur një hap drejt kalimit në finalen e madhe, që luhet në datë 30 janar. /abcnews.al