Tiranës i është bllokuar merkato për shkak të një gjyqi në FIFA dhe së fundmi ka ardhur edhe reagimi i bardhebluve. Asnjë detaj më shumë se sa është bërë me dije në media, madje nuk zbulohet asnjë detaj tjetër veç faktit që është palë e tretë në këtë çështje.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se po punon në zbardhjen e çështjes së bllokimit të merkatos. Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, theksojmë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh të prapambetur. KF Tirana sqaron se bëhet fjalë për një çështje në të cilën klubi ka qenë palë e tretë.
Ky lajm u bë i ditur ditën e sotme dhe klubi vijon të mbetet në bisedime me zyrtarë të FIFA-s për të zgjidhur këtë çështje. Nënvizojmë se për çdo të re apo përditësim njoftimet do të dalin vetëm nga faqja zyrtare e klubit”.
Abcnews.al më parë ka bërë me dije se bëhet fjalë për një gjyq të Moctar Cisse, i cili kaloi te Tirana verën e vitit 2016 dhe kishte probleme kontraktuale me Wydad Casablanca. Këta të fundit kanë fituar gjyqin dhe presin dëmshpërblimin që shkon në rreth 300 mijë euro. /abcnews.al