“Habitem nga Superiorja, nuk është kompetitive! Ju tregoj ku qëndron problemi”

schedule23:56 - 4 Janar, 2021

schedule 23:56 - 4 Janar, 2021

Ditën e sotme trajneri i kombëtares sonë, Edy Reja foli për emisionin Pressing në ABC. Ndër të tjera ai tregoi edhe një konstatim të pikasur nga vetë trajneri, që e ka çuditur.

Reja shprehet se ndihet shumë i befasuar për “metamorfozën” pozitive, që pësojnë lojtarët, që largohen nga Shqipëria. Trajneri e gjen problemin te klubet dhe organizimi i tyre.

“Në lidhje me ekipin kombëtar, hapësira është e hapur për këdo. Më vjen keq për Ismajlgecin, që e grumbullova e më pas u dëmtua. Sepse nëse nuk do të ishte dëmtuar, sigurisht që do të luante ndaj Kosovës, por kishte mundësi shumë të mira, nisur nga mungesat që kisha që të luante titullar edhe ndaj Bjellorusisë. Unë i shoh të tërë, por më bën përshtypje diçka dhe kam arritur në një konstatim: Si ka mundësi që lojtarët shqiptarë të kampionatit, sapo ikin me ekipe të huaja rrisin formën e bëjnë më mirë?

Doka, që ikën jashtë Shqipërie luan mirë. Më tej të njëjtën gjë bëjnë Kallaku, Cokaj, Uzuni, Mersinaj. Kam dilemë dhe një pikëpyetje të madhe në këtë drejtim. Nuk di çfarë ndodh në Shqipëri, që nuk merren në konsideratë të tillë lojtarë? Apo nuk vijnë në formën e tyre më të mirë.

Sipas meje duhet të ngrihen strukturat në klube, por kam parë edhe fushat, që lënë për të dëshiruar në aspektin e kondicionit të terreneve. Gjithashtu duhet të nisim të ndërrojmë mentalitet. Më vjen një pikëpyetje  madhe rreth kampionatit në Shqipëri që mendoj që nuk është kompetitiv në veçanti.

Nuk di shkaqet, sepse sapo lojtarët ikin prej kampionatit, rrisin formën dhe bëhen më të mirë në formë e mentalitet. Të paktën kjo është ajo që ka ndodhur në vitet e fundit. Një konstatim imi.

Nuk mundem në këtë pikë të fajësoj trajnerët. Aspak. Kam njohur trajnerë në Shqipëri që punojnë mirë. Por në përgjithësi, është një mentalitet që duhet ndërruar me shpejtësi. Ndërkaq, ndiej keqardhje për këtë situatë bllokuese nga Covid-19, pasi kisha marrë angazhim të vija më shpesh në Shqipëri për të folur me klubet me lojtarët, me drejtuesit. Shqipëria duhet të rritet sepse element ka, por lojtarëve u duhet dhënë mundësia dhe instrumenti përkatës për rritjen e gjithsecilit, por kjo s’ka të bëjë me pjesën e trajnerit.

Anglia është e fortë, sikundër edhe Polonia me lojtarë tepër cilësorë, apo edhe Hungaria diçka më pak. Por më pëlqen që të përballem me këta rivalë sepse janë skuadra, që stimulojnë maksimalisht skuadrën e kështu ndaj tyre do të shohim nëse jemi rritur apo jo. Nëse arrijmë të fitojmë ndeshje me rivalë të tillë, atëherë do të thotë që kemi rritje në planin e skuadrës.

Milan apo Juve? Hahaha, një pyetje pikante! Milan tani për tani është skuadra që ka një rendiment të jashtëzakonshëm. Nuk luan Ibra, por janë të tjerët. Është një skuadër që s’ka një rozë të jashtëzakonshme, por po tregon kapacitet maksimal në fushë. Një grup koherent, që njeri ndihmon tjetrin. Sa i përket Juves, është ende në kërkim të dimensionit të saj si skuadër.

Nuk është ende skuadra që mendoja. Unë mendoj se Pirlo duhet të punojë ende sepse aty ka shumë kualitete dhe nuk mund të varet gjithçka nga këmbët e Cristianos. Duke i listuar një nga një, janë të gjithë lojtarë të jashtëzakonshëm. Paçka se Juventus është vonë në kohë, sërish mendoj që nëse arrin kuadratin e saktë taktik mund ta fitojë titullin. Parashikoj një 1×2, të tre rezultatet sepse nuk dihet se çfarë mund të ndodhë.

Një vit të mbarë të gjithëve! Shpresojmë që Federata të rritet, futbolli në vend të rritet dhe mbi të gjitha ekipi kombëtar të rritet dhe të përballet në mënyrë kompetitive me të tilla skuadra që ka në grup”, përfundoi Reja. /abcnews.al