Në një intervistë për britaniken Guardian, e ëma e Osama bin Laden, 75 vjeçarja Alia shprehet se djali i saj ka qenë shumë i mirë dhe një student i shkëlqyer ekonomie. Por ishte nëj nga anëtarët e vëllezërve muslimanë që i ka bërë lavazh truri për ta shndërruar më pas në liderin famëkeq të Al Kaedës.
E ulur në një divan në Xhehad, e mbuluar me një veshje të kuqe, Alia Ghanem 75 vjeç, e ëma e Osama Bin Laden ka folur për herë të parë për mediat.
Në një intervistë për të përditshmen britanike Guardian, gruaja së bashku me dy fëmijët e tjerë të saj, Ahmad e Hassan, dhe bashkëshortin e dytë, ka pranuar të flasë. Ajo shprehet ndër të tjera se jeta e saj ka qenë shumë e vështirë pasi Osama ishte gjithnjë larg. Ajo thotë se ai ishte një djalë shumë i mirë dhe e donte shumë.
Alia jeton në vendin që ka qenë prej brezash vendbanim i familjes Bin Laden, ku dhe u krijua perandoria e një prej familjeve më të pasura të Arabisë saudite. Për shumë vjet ajo refuzoi të fliste për mediat. Emri i Osama lidhet me sulmet e 11 shtatorit.
Ajo e kujton djalin e saj të parë si të turpshëm dhe nxënës shumë të mirë, dhe në universitet studionte për ekonomi. Por më pas ai u radikalizua nha një anëtar i Vëllezërve muslimanë, Abdullah Azzam, i cili më pas u bë këshilltar shpirtëror i liderit të Al Qaeda. Sipas saj Osamës i kanë bërë lavazh truri, duke vendosur më pas të ikte në Afganistan, dhe në malet e këtij vendi në vitet ‘80 ai u bë një muxhahedin që luftonte kundër rusëve. Por nëna e tij asnjëherë nuk dyshoi se ai mund të bëhej një xhihadist. Alia tregon se për herë të fundit e ka takuar në Afganistan në vitin 1999, ku ai theri një qingj dhe shtruan një banket. Por vëllezërit e Osamës shprehen se iu ka ardhur gjithnjë turp prej tij dhe se ata e familjarë të tjerë kanë vuajtur pasojat e veprimeve të tij.
Por tashmë në qendër të vëmendjes së shërbimeve sekrete në shumë vendeve të botës është djali i Osama Bin Laden, Hamzai 29 vjeç, i cili ka premtuar se do të marrë hakun e babait të tij. Gjyshja e tij shprehet se nëse do të kishte mundësi ta takonte do i lutej të mos ndiqte të njëjtën rrugë./abcnews.al