Viti 2020 mund të mbahet mend për shumë gjëra, ndërkohë që në fund të tij bilancet që mbahen janë të shumta. Një është ai i golave të shënuar gjatë vitit kalendarik në Kategorinë Superiore të Futbollit.
Pjesa e parë e këtij sezoni është mbyllur pas vetëm 12 javësh, çka bën që edhe numri i golave të mos jetë shumë i lartë. Gjithsesi nuk kanë munguar goleadat në disa ndeshje dhe në treshen e parë janë Vllaznia, Partizani dhe Laçi.
Këto dy të fundit e mbajnë podiumin edhe në totalin e golave të realizuar gjatë këtij viti, ndërkohë që mbretëresha është Tirana me 52 gola të realizuar. Kampionët në fuqi i falen sezonit të shkuar, kur edhe ishin sulmi më i mirë, kurse në kampionatin aktual kanë lënë për të dëshiruar.
Laçi e Partizani numërojnë nga 50 gola dhe të kuqtë kanë spikatur me disa goleada. Këtë sezon i kanë shënuar nga katër gola Kukësit e Skënderbeut, kurse Apolonisë tre. Nga kampionati i vjetshëm nuk mund të harrohet triumfi kundër Luftëtari me shifrat 8-1.
Kurbinasit vijojnë të shënojnë një numër të konsiderueshëm golash, me ose pa Nwabueze në fushë. Në sezonin aktual janë sulmi i tretë më i mirë dhe ajo që duhet përmendur është se gjashtë prej golave ia kanë shënuar Apolonisë në një ndeshje.
Sulmi i katërt më i mirë për vitin 2020 është ai i Kukësit, me 46 gola, kurse Vllaznia, që momentalisht mban “fronin”, renditet në vendin e pestë. Në sezonin e shkuar shkodranët e kishin të vështirë të shënonin, pasi në 19 ndeshje kishin shënuar 21 herë, po aq sa sivjet në 12 përballje.
Teuta me sulmin ka vuajtur e vazhdon të vuajë. Durrsakët, me 40 golat e shënuar, janë sulmi i gjashtë i kampionatit në vitin 20020, duke lënë pas Skënderbeun me 39 gola dhe Bylisin me 33, që janë edhe skuadrat që kanë realizuar më pak. /abcnews.al