Viti që po lemë pas ka patur ngjarje të larmishme, edhe pse bota u pushtua nga një virus i padukshëm. Përpos pandemisë shumë legjenda të futbollit dhe jo vetëm ndërruan jetë, duke e bërë akoma më të vështirë 2020.
Revista e famshme “Billboard” ka bërë një studim se kush janë 10 postimet që kanë marrë më shumë pëlqime këtë vit në “Instagram”. Në vendin e parë me 19.7 milionë like është mesazhi i sulmuesit të Juventusit, Cristiano Ronaldo, drejtuar Maradonës kur ky i fundit vdiq.
Postimi daton në muajin nëntor dhe fjalët e portugezit kanë prekur miliona njerëz në mbarë botën. 35-vjeçari vazhdon të mbetet njeriu me më shumë ndjekësa në botë, me plot 249 milionë persona që e ndjekin atë.
Në vendin e dytë është njoftimi i vdekjes së aktorit, Chadwick Boseman, i cili njihet nga të gjithë si “Black Panther”. Postimi mori plot 19.1 milionë pëlqime. Gjithashtu në vendin e tretë është sërish një mesazh ndaj Maradonës, këtë herë nga patrioti i tij Leo Messi. Postimi i argjentinasit ka arritur deri në 16.4 milionë like.
Në renditje nuk mund të mungonte as blogerja Kylie Jenner, e cila ka plot katër postime në dhjetëshen e parë, konkretisht vendin e katërt, shtatë, tetë dhe të dhjetë. Në vendin e pestë është mesazhi i basketbollistit Lebron James ndaj mikut të tij Kobe Bryant, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në muajin janar si pasojë e një aksidenti ajror.
Ndërkohë në vendin e nëntë është sërish një postim i CR7, i cili ka kapur kuotën e 14.3 milionë pëlqime. Bëhet fjalë për një foto të tij me djalin dhe partneren Georgina, ditën e ditëlindjes së Cristiano Ronaldo Junior. /abcnews.al