Aurora Meta Dollenberg, mjeke në Federatën e Mjekëve Shqiptarë në Evropë, foli në “ABC-ja e mëngjesit” për situatën e Covid në Gjermani dhe mutacionin e ri të virusit.
Mjekja theksoi se është regjistruar një rekord i ri viktimave në Gjermani gjatë 24 orëve, ndërsa shtoi se me vaksinën anti-covid shpresohet që të vaksinohet 60-70% e popullatës.
“Është arritur një rekodr i ri i viktimave brenda 24 orëve dhe kjo është një reflektim i gabimeve që kemi bërë në verën dhe vjeshtën e këtij viti. Gjermania nuk i ka dhënë një prioritet maksimal kërkimit të mutacionit të ri”, tha ajo.
Gjatë intervistës me gazetarin Enkel Demi, mjekja u shpreh se sipas informacioneve , virusi nuk është më agresiv, por ka një tranmetueshmëri më të lartë.
“Gjasat që një person që ka pasur Covid dhe të riinfektohet janë gjithmonë, jo vetëm nga ky mutacion i ri. Kjo është pasojë e vetë virusit. Pasi mbrojtja për ata që e kanë kaluar është tre deri në 6 muaj.
Në momentin që një popullatë ka arritur të vaksinojë 60-70% të popullatës atëherë masat edhe mund të lehtësohen. Si Gjermani kemi planifikuar që të vaksinojmë 60-70% të popullatës.
Edhe pse jemi të përgatitur me qendra të shpërndara në të gjithë Gjermaninë me qendra për vaksinimin sërish nuk mund ta dimë se sa shpejt mund të realizohet”, tha mjekja.
/abcnews.al/