Shuhet në moshën 83 vjeçare tenori Gaqo Çako

schedule22:22 - 1 Gusht, 2018

schedule 22:22 - 1 Gusht, 2018

Është ndarë nga jeta në moshën 83 vjeçare simboli historik i operas dhe muzikës shqiptare, Gaqo Çako. Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tiranë. Lajmi u publikua në faqen zyrtare të facebook të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Lamtumirë simboli historik i Operas dhe Muzikës Shqiptare, “Nderi i Kombit” – Gaqo Cako.

Me hidhërim të thellë bëjmë me dije se pak minuta më parë është ndarë nga jeta në moshen 83 vjeçare tenori virtuoz, simboli historik i muzikës operistike shqiptare, “Nderi i Kombit”,  Gaqo Cako. Mjeshtri i madh u shua në shtëpinë e tij në Tirane. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të Gaqo Cakos  “Nderit të Kombit”.

Për homazhet dhe ceremoninë mortore, TKOBAP do t’ju bëjë me dije në vijim”.

Gaqo Çako ka lindur më 24 janar 1935.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.

Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios. /abcnews.al