Rama: Gjyqtarët e prokurorët që morën peng drejtësinë për dekada do japin llogari për pasurinë

schedule10:18 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 10:18 - 29 Dhjetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se me konsolidimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë ata që janë larguar nga vettingu pa dhënë llogari për pasurinë e pajustifikueshme do të përgjigjen para tyre. Rama tha se fjala kyç në këtë proces është “Durim”. Rama deklaroi se gjatë procesit të vettingut ku janë filtruar 322 individë, 202 kanë përfunduar jashtë sistemit të drejtësisë nga të cilët 128 janë shkarkuar dhe 74 të tjerë janë vetëlarguar nga frika.

“Dua ta nis me reformën në drejtësi duke pasur parasysh faktin që me të drejtë qytetarët kanë një pritshmëri të lartë prej shumë vitesh pasi i kanë dhënë një mbështetje të madhe. Kanë edhe një padurim për faktin se ende sot vazhdojnë problemet në sistemin e drejtësisë dhe ende sot drejtësia nuk ka arritur deri në atë pikë të reagimit të saj ndaj llumit dhe zullumit që të lehtësojë frymëmarrjen e qytetarëve. Dua të ndaj me të gjithë faktin se procesi i ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie nuk zhvillohet as sa hap e mbyll sytë dhe as pa pengesat e veta. Sidoqoftë ka arsye për të qenë optimistë për të ardhmen.

 Ky proces ka nisur me pastrimin e lumit të grumbulluar në dekada dhe nëse shohim shifrat konfirmohet arsyeja për të qenë optimistë për nesërmen. Deri më sot janë rivlerësuar nga vetting 322 individë nga të cilët më shumë janë larguar se konfirmuar. 128 të shkarkuar drejtpërdrejtë dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces me vetëdijen e pamundësisë për ta kaluar filtrin. Vetëm 118 janë konfirmuar. 202 të larguar dhe 118 të konfirmuar. Është një shifër domethënëse për të pasur një pamje të pastrimit të sistemit. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është çfarë ndodh me të larguar.

Kaq e thjeshtë qenka. Ne ndërkohë paralelisht me pastrimin kemi vijuar dhe po konsolidojmë procesin e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë dhe ata që nuk kanë mundur të justifikojnë pasuritë marramendëse do të përgjigjen para drejtësisë. Dhe nga përgjigja e atyre që morën peng drejtësinë për dekada do konfirmohet edhe sistemi i drejtësisë. Fjala kyç në këtë proces është durim. Nga ana tjetër paralelisht me pastrimin e sistemit të drejtësisë ka vazhduar lufta kundër krimit të organizuar”, tha Rama./mv.abcnews.al