Përfitoi “36 paga lufte” në mënyrë të paligjshme, arrestohet 32-vjeçari! I dënuar për mashtrim

schedule08:31 - 29 Dhjetor, 2020

schedule 08:31 - 29 Dhjetor, 2020

Denis Trungu, 32-vjeç nga Durrësi është arrestuar nga policia pasi akuzohet se duke shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë për përfitimin e “Pagës së luftës”.  Sipas policisë, ai ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë.

Pas transferimit të shumave të ndryshme, Trungu kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë. Ai rezulton i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Tashmë materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe proceduriale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale nëpërmjet mashtrimit kompjuterik. Operacioni policor i koduar “PLATFORMA”, i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihet në pranga një shtetas, për përfitime të shumave të mëdha nëpërmjet mashtrimit kompjuterik. 32-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion policor i koduar “PLATFORMA”.

Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një bankë e nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kryer ndalimin e shtetasit:

Denis Trungu , 32 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me gjobë për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësia”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës;

I dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës;

I dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat (aktualisht në proces në Gjykatën e Apelit Vlorë);

Aktualisht i ndaluar si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas, duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Pas transferimit të shumave të ndryshme ky shtetas kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë.

Gjithashtu, ky shtetas ka tentuar t’i tërheqë këto fonde dhe nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe proceduriale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, njofton policia./mv.abcnews.al