Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Përplasja fizike me protestuesit/ Demo: Pezullohen nga detyra dy efektivë të policisë

schedule16:24 - 16 Tetor, 2026

schedule 16:24 - 16 Tetor, 2026

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, bëri të ditur se dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar pas rasteve të dyshuara të tejkalimit të kompetencave, gjatë përplasjeve me protestuesit pranë Ministrisë së Arsimit.

Ai theksoi se, pavarësisht situatës së tensionuar dhe akteve të dhunës gjatë protestave, reagimi i policisë duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.

Demo deklaroi se ligji do të zbatohet për të gjithë, si për personat që kryejnë akte dhune, ashtu edhe për punonjësit e policisë që shkelin kompetencat e tyre.



Në përfundim, ministri u bëri thirrje prindërve të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në akte të dhunshme, duke garantuar se rendi dhe siguria publike do të mbrohen.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, Ervin Demo:

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!