Vilson Brahaj personi që vendosi një sasi prej 500 gramësh eksplozivi në banesën e Xhelal Dacit, pak ditë më parë, do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Kështu vendosi Gjykata e Tiranës për 23 vjeçarin me origjinë nga Kukësi, i cili shprehu pendesë në seancë, duke pohuar se e kishte vendosur tritolin, pasi do të përfitonte 5 mijë euro.
Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Vilson Brahaj, i arrestuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e Xhelal Dacit, më 27 korrik. I tensionuar dhe me duar të mbledhura, 23-vjeçari doli para trupit 2 ditë pasi u prangos në periferi të kryeqytetit.
Gjatë seancës, Brahaj ka treguar versionin e tij për ngjarjen, duke pretenduar se ai ishte kontakuar për të vendosur tritolin nga një person 25 vjeç, që më herët e kishte pasur në shkollë. I riu tha para togave të zeza se, këtë gjë, miku i tij ia kishte kërkuar për të fituar azil në vendet e BE-së dhe do të merrte 5 mijë euro për vendosjen e tritolit, ku 1500 euro i kishte marrë si paradhënie.
Por 23-vjeçari ripohoi në gjykatë atë që kishte thënë edhe gjatë seancave të marrjes në pyetje në polici. Sipas tij ai nuk e dinte se kujt ishte banesa që vendosi eksplozivin dhe se nuk kishte dijene se familja Daci ishte në gjak me atë të Kolaverit, pasi në të kundërt nuk do ta kishte bërë një gjë të tillë. “E vendosa tritolin që dha ai miku im vetëm se kisha nevojë për para dhe jo për t’u bërë palë me familjet që janë në gjak”, përfundoi fjën e tij, i riu me origjinë nga Kukësi.
Brahaj u identifikua nga kamerat e sigurisë, të cilat kishin fiksuar personin, që vuri lëndën shpërthyese në rrugën “Martin Camaj”, në Bathore. Në katin e dytë të banesës jetonte familja Gazmir Dacit, teksa ky i fundit ndodhet në burg, duke vuajtur dënimin me 35 vjet heqje lirie, për vrasjen e Valmir Kolaverit. Vilson Brahaj, ishte dënuar më parë për vjedhje të një dyqani celularësh në Tiranë, në vitin 2014. /abcnews.al