Më shumë linja transporti me Korfuzin dhe në një të ardhme të afërt edhe një aeroport në Sarandë. Kështu është shprehur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë vizitës në disa biznese të reja hotelerie në Sarandë dhe Ksamil.
Rritja e numrit të turistëve në jug të vendit ka nxjerrë në pah kërkesën për shtim të linjave të transportit me Greqinë, madje edhe planifikimin e ndërtimit të një aeroporti në Sarandë.
Në këtë përfundim arriti ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në takimin me operatorë turistikë në Sarandë e Ksamil.
“Pra më shumë linja transporti me Korfuzin, pse jo në të ardhmen e afërt edhe një aeroport në Sarandë. Shpresojmë që me partneritet të huaj, të kemi mundësinë të ngremë një aeroport turistik në Sarandë. Ne po punojmë, Saranda e ka këtë mundësi dhe do të ofrojë një ekonomi shkalle të tillë që ta justifikojë bërjen e një aeroporti turistik”, tha Gjiknuri.
Sipas ministrit Gjiknuri, zgjatja e sezonit turistik do të mund të krijojë mundësinë për të gjetur edhe fuqi punëtore më të përgatitur, e cila të ofrojë shërbimet në këto zona. Në emër të qeverisë tha se investimet në zonat bregdetare kanë nisur dhe do të vazhdojnë me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit./abcnews.al