Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar një seancë dëgjimore edhe me Artur Malajn, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Trupa gjykuese e kësaj seance dëgjimore përbëhej nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.
Malaj vetohet me përparësi për shkak të kandidaturës për Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Në seancën dëgjimore u theksua se lidhur me pasuritë e gjyqtarit Malaj, ILDKPI-ja raporton se deklarimi është i saktë, se nuk ka deklarim të rremë apo fshehje pasurie.
Gjyqtarit Malaj i rezultojne si prona tokë ulishte në Llakatund të Vlorës përfituar nga ligji 7501 si dhe një apartament 106 metra katrorë në Tiranë i prenotuar në 2005 për 55 mijë euro bashkë me një garazh, ndërsa në vitin 2008 çmimi është ulur perfundimisht në 5 milionë lekë të reja.
Apartamentin Malaj e ka në bashkëpronësi me gruan dhe e kanë blerë me kredi. Bashkëshortja e gjyqtarit Malaj me profesion notere rezulton të ketë në llogari bankare shumat prej 122 mijë eurosh dhe 70 mijë dollarësh të ardhura nga puna si notere.
Të ardhurat e çiftit Malaj përputhen me deklarimet e bëra ndër vite, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pasur dyshime se ai ka një shtëpi të padeklaruar në Vlorë./abcnews.al