Rekordi i Messit, Santos kërkon të njihen 448 gola të tjerë të Peles!

schedule16:55 - 27 Dhjetor, 2020

schedule 16:55 - 27 Dhjetor, 2020

Klubi i Santos nuk është dakord me arritjen e kapitenit të Barcelonës, Leo Messit, për sa i përket kuotës së golave të shënuar për një klub. Kujtojmë që pak ditë më parë argjentinasi arriti të shënojë golin e 644 për Barcelonën, duke kaluar Pelen, i cili është ndalur në 643 gola për Santosin. Megjithatë, Shoqata e Studiuesve dhe Historianëve të klubit brazilian akuzon se Mbretit të Futbollit i janë hequr plot 448 gola të rregullt.

“448 golat që ata po përpiqen të skualifikojnë sot u shënuan ndaj klubeve dhe ekipeve kryesore në atë kohë. America dhe Colo Colo pësuan nga nëntë gola nga Pele. Internazionale Milan, e cila ishte një ndër klubet kryesore në Europë në vitet 1960 ka pësuar tetë gola nga Mbreti. Gjithashtu edhe Barcelona ku luan Messi ishte një viktimë e Peles me katër gola të pësuar në katër ndeshje.

Flitet se këto gola janë shënuar në ndeshje miqësore ndaj kundërshtareve të dobët, por të gjithë këto ndeshje janë luajtur me një uniform zyrtare dhe duke respektuar procesverbalin e takimit. Kujtojmë që miqësoret mund të zhvilllohen vetëm me miratimin e federative rajonale dhe kombëtare, që i vërteton akoma dhe më shumë këto ndeshje”, shkruhet në deklaratë.

“Shifrat janë absolutisht të vërteta. Një gol ndaj Eibar ka të njëjtën vlerë ndaj një goli të shënuar kundër Valencias. Një gol ndaj Transvaal ka të njëtën vlerë si të shënosh ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, mbyllet deklarata e Santos. Përpos polemikave pak ditë më parë ishte vetë Pele që e përgëzoi Messin për rekordin e arritur dhe ende nuk ka një reagim nga braziliani për këtë deklaratë nga klubi i tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!