Rreth 850 fermerë në Konispol kanë filluar eksportin e mandarinës. Prodhimi këtë vit duket më cilësor dhe është më i frytshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me gati 5000 ton mandarina më shumë.
Ndërsa në pikat e grumbullimit procesi i analizave të agrumeve dhe seleksionimi i fermerëve me të cilët do të punohet duket më i imtësishëm.
“Situata sivjet është shumë e mirë, duket një vit i mbarë me prodhim të mbarë dhe produkt shumë të pastër, ne jemi në fillim të vjeljes, në procesin e analizave të frutave, pasi do bëjmë dhe seleksionimin e fermerëve me të cilët do punojmë sivjet, gjendja është shumë e mirë dhe gjatë gjithë vitit jemi kujdesur për frutat dhe jemi konsultuar me agronomë shqiptarë dhe të huaj dhe shpresojmë se do jetë një vit i mbarë.”, ka thënë Arjol Shero, sipërmarrës në pikë grumbullimi.
“Jam një fermer nga fshati Çiflik, në përgjithësi mandarinat sivjet nga cilësia janë shumë mirë, jemi shumë të kënaqur, dhe tregu ka filluar të funksionojë, vetëm që nuk i ka ardhur ngjyra akoma, por duke vazhduar punën ne, duke mbledhur, dhe pjesës tjetër i vjen ngjyra”, shprehet fermeri Aristotel Marku.
Teksa eksportet kryesore mbeten Zvicra, Kroacia, dhe vendet e Ballkanit, fermerët këtë vit do të përfitojnë edhe përmes kompensimit në vlerën 10% të shumës së sasisë së mandarinës së shitur, nëse përmes faturës së marrë në pikën e grumbullimit aplikon në e-Albania.
” Për eksport vijnë makina nga Polonia, nga vendet e ftohta, dhe tregu i brendshëm vazhdon me ritme të kënaqshme..”, thotë fermeri.
“…Futemi për herë të parë në Zvicër me supermarketet, vazhdojmë me tregun e Polonisë, Çekisë, Kroacisë, dhe me tregjet jemi shumë mirë se kemi vite që punojmë me ta dhe kemi arritur t’i japim cilësinë që ata duan.”, nënvizon Arjol Shero, sipërmarrës në pikë grumbullimi.
” Në raport me marrëdhënien me shtetin për fermerët sivjet është vendosur një kompensim 10% që është gjë shumë e mirë, fermeri shet dhe me faturën që merr te pika e grumbullimit, bën aplikimin në e-Albania, dhe kompensohet 10% të vlerës së shitjes së mandarinës, shpresoj që kjo mos të ketë burokracira por t’i marrin shpejt fermerët sepse është një ndihmë e madhe.”, thotë ai.
Në terren fermerët duken optimistë, çmimi i shitjes së mandarinës është nga 60-80 lekë ndërsa në parcelat e Mursisë familje të tëra nga zona dhe jo vetëm punësohen përgjatë sezonit të vjeljes së agrumeve.
“Për këtë vit mandarinat janë 10 ditë më vonë sepse edhe shirat ranë më vonë, çmimi deri tani mirë është, filloi me 80, tani është 60-70 lekë”, thotë ai.
Konispoli është eksportuesi më i madh i mandarinës në vend, me 950 ha agrume dhe qindra familje të punësuara, duke e kthyer këtë produkt në motorin e ekonomisë lokale.


