Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani vendosi flamurin dardan krahas atij të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në subjektin ku ndodhet Kuvendi dhe Presidenca.
Ky veprim i Osmanit shkaktoi jo pak zhurmë ndërsa vetë kreu i LDK-së deklaroi se flamuri dardan është ideuar nga Ibrahim Rugova dhe shton se VV s’ka asnjë lidhje me vlerat rugoviane.
Duke folur rreth kësaj çështje, Enis Sulstarova kryetar bordi i Lëvizjes VetëVendosje në Shqipëri u shpreh se flamuri aktual i Kosovës nuk është legjitim, dhe se VV e konsideron si provizor. Ai shtoi po ashtu se çdo simbol të Kosovës duhet të ketë një legjitimitet popullor.
“Një referendum do të ishte hapi i duhur,” u shpreh Sulstarova në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC.
Sa i përket tensioneve Rama-Osmani, Sulstarova tha se zonja Osmani ngriti në vizitën e saj në Shqipëri, 3 çështje të ngritura tashmë gjerësisht.
“Së pari gjenocidi serb, pastaj Rruga e Kombit që është ndërtuar me buxhet shtetëror dhe mirëmbajtja mund të bëhej nga një ndërmarrje shtetëror. Sa i përket Mini-Shengenit, Rama ka hyrë në marrëveshje me Vuçiç pa e pyetur fare Kosovën. Nga minishengeni përfiton vetëm Serbia, nuk mund të merret asnjë masë pa u konsultuar me Kosovën.”
Sipas Enis Sulstarovës, Rama është duke ndjekur agjendën e tij personale dhe jo atë kombëtare.
A do të kandidojë Vjosa Osmani për Lëvizjen VetëVendosje?
Kryetari i bordit të Lëvizjes VetëVendosje në Shqipëri tha se me aq sa ka dijeni, Osmani parashikon që të nxjerrë një listë të sajën me një subjekt të ri politik. Megjithatë, nëse VV do të ketë nevojë për numra kur të fitojë zgjedhjet, dhe nëse subjekti i Osmanit do të jetë gati, një koalicion mund të ishte i mundshëm.
“Parashikohet një fitore, jemi subjekti më i madh politik. Nëse do ta ndërtojmë apo jo qeverinë kjo varet nga përqindja. Nëse Osmani do garonte, ndoshta do ishte një partner shumë i besueshëm, duke marrë parasysh marrëveshjen paraprake që u bë…”
Sipas Sulstarovës, në këto zgjedhje, populli i Kosovës ka një shans të mirë për t’i dhënë fund “një kaste politike.”
“Duhen emra të rinj, një rrugë të re politike.”
I pyetur rreth situatës në Hagë, Enis Sulstarova tha se procesi pritet të zgjasë, por nëse Shqipëria do të ndihmojë, duhet të miratojë rezolutën për njohjen e gjenocidit serb.
“…Do gjykohet UÇK dhe jo individët. Do ishte mirë që me nje rezolutë për njohje gjenocidi, do ishte diçka e drejtë për t’u bërë, një ndihmese për ata që janë duke u gjykuar në Hagë. Vuçiç ishte pjesëmarrës në gjenocid, Prandaj Rama nuk do ta miratojë.” s.b/abcnews.al/