Nga Xhensila Kodra
Ende pa u mbyllur muaji Dhjetor, numri i vrasjeve është më i lartë, krahasuar me 11 muajt e mëparshëm.
Vetëm këtë muaj janë kryer 9 vrasje, që kanë shkaktuar 10 viktima.
Krahasuar edhe me dhjetorin e vitit të kaluar, vrasjet janë shtuar.
Vjet u shkaktuan 6 vrasje me 7 viktima.
Një pjesë e ngjarjeve vijojnë të mbeten të pazbardhura, si ajo e Benjamin Bezhanajt në Vlorë, vrasja e Anton Kelit në Rrëshen, dhe ekzekutimi i dy vëllezërve nga Pogradeci, Andi dhe Martin Olldashi.
Trupat e pajetë të këtyre dy të fundit u gjetën në zonën e njohur si “Kisha e vogël”, në Zvirinë të Maliqit.
Ata ishin persona me precedent penal, ndërsa grupi hetimor dyshon se krimi ka ndodhur për shkak të konflikteve të drogës.
Një nga ngjarjet që solli dhe dorëheqjen e ministrit Lleshaj, ishte vrasja e Klodian Rashës, nga efekti i Shqiponjave.
25 vjeçari u qëllua për vdekje nga Nevaldo Hajdaraj. Kjo ngjarje shkaktoi protesta që zgjatën për një javë.
Ende pa u zbardhur dita e 5 Dhjetorit, në autostradën Lezhë-Milot, u vra efektivi i FNSH, Xhulio Prela.
Policia arrestoi një nga autorët e dyshuar dhe shpalli në kërkim një tjetër.
Shkak u bë një konflikt i çastit për dritat e gjata të makinës.
Por nuk ka qenë vetëm muaji dhjetor problematik.
Statistikat tregojnë se një numër të lartë ngjarjesh ka pasuar muaji janar dhe muaji gusht, ç’ka korrespondon edhe me ardhjen e emigrantëve.
Në të këto muaj kanë ndodhur 7 vrasje me nga 7 viktima.
Krimet në dhjetor
1 Dhjetor – vritet Benjamin Bezhanaj në Vlorë
2 Dhjetor – vritet Ridvan Ramazani në Shkodër
5 Dhjetor – vritet efektivi Xhulio Prela në Lezhë
8 Dhjetor – vritet nga policia Klodian Rasha në Tiranë
10 Dhjetor – vriten dy vëllezër Andi dhe Martin Olldashi, në Maliq
15 Dhjetor – vritet Anton Keli në Rrëshen
17 dhjetor – vritet Ajet Guneli në Berat
17 Dhjetor – vritet Gentian Kosiqi në Dibër
20 Dhjetor – vritet aksidentalisht nga djali polici Roland Bicerri në Tiranë
/abcnews.al/