Vedat Muriqi nuk po ia del të shënojë golin e parë me Lazion. Sulmuesi dardan u fut në fushë në minutën e 32-të në vend të argjentinasit Correa në duelin e “San Siros” ndaj Milanit. Një një moment ishte pranë realizimit të një goli të bukur, por u frenua nga Donnarumma.
Kuqezinjtë fituan 3-2 falë golit të Theo Hernandez në minutat shtesë. Trajneri Inzaghi zgjodhi Muriqin përpara Felipe Caicedos, me këtë të fundit që e ndoqi gjithë sfidën nga stoli. “Caicedo ishte i lodhur, ky është shkaku pse nuk luajti“, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes.
E vërteta qëndron ndryshe sipas Il Messaggero, që raporton se sulmuesi nga Ekuadori ndodhej në formë të mirë dhe mosaktivizimi i tij ishte vetëm një vendim teknik i trajnerit. “Përjashtimi” i tij është kthyer në një çështje në dhomat e zhveshjes.
Caicedo nuk i ka pritur mirë fjalët e Inzaghit dhe po mendon largimin nga Lazio, edhe pse do preferonte të mbyllte sezonin me bardhekaltrit. E ardhmja? Fiorentina e pëlqen, teksa nevojiten 6-8 milion euro për ta transferuar në Firence. Një lajm i mirë për Muriqin, të cilit do i shtoheshin mundësitë e aktivizimit me Lazion. /abcnews.al