“Skavica do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat me ministren e Energjisë Belinda Balluku me temë “Ekonomia në fokus”.
Kreu i qeverisë tha se sektori i energjisë ka pësuar një transformim rrënjësor që vazhdon me projekte të tjera të mëdha. Gjatë fjalës së tij, ai nuk la pa “shigjetuar” ish-kryeministrin Sali Berisha përsa i përket linjës së interkonjeksionit me Kosovën.
“Pas 7 vitesh e 2 muajsh mund të themi se kemi hyrë në një fazë krejtësisht të re, pasi kemi hapur rrugën e një transformimi rrënjësor që vazhdon. Dua të vendos theksin në disa pika.
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se aktualisht jemi në kantier për projektin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni, sapo kemi vendosur në punë linjën me Kosovën, një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi im, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme aq edhe po qesharake dhe i bllokuar për disa vite nga vetoja e Serbisë, që e hoqi as më shumë dhe as më pak por shengeni rajonal.
Besoj shumë se ky zhvillim kaq i rëndësishëm mes dy shteteve tona dhe nga ana tjetër edhe linja e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni, janë pjesë e një tërësie ndryshimesh të mëdha që po ndodhin, përfshirë themelimin e bursës shqiptare të energjisë, që nisi me ndryshimet ligjore të 2018 dhe pastaj me nënshkrimin e marrëveshjes së aksionarëve.
Jemi në një proces të bashkimit të tregut me Italinë dhe Malin e Zi. Sa i përket rrjetit tonë mund të flasim për një arritje të jashtëzakonshme për humbjet në rrjet padyshim më pas edhe për mbledhjen e detyrimeve, që tani janë kthyer në një normë që nuk e diskuton më askush.
Skavica do të krijojë mundësinë për të mos çuar dëm asnjë pikë uji dhe do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë, ashtu sikundër do të na japë mundësinë të kursejmë për shkak të mundësisë për të mbajtur rezerva dhe për të mos qenë të detyruar t’i drejtohemi tregut” tha Rama./ db/Abcnews.al