Fluks udhëtarësh në doganën e Morinës

schedule16:19 - 27 Korrik, 2018

schedule 16:19 - 27 Korrik, 2018

Ditët e fundit të Korrikut kanë sjellë një fluks udhëtarësh në pikën kufitare të Morinës dhe në doganën e Qafë Thanës. Në të dyja pikat kufitare mësohet se po punohet me procedurë të përshpejtuar për të shmangur radhët e gjata.  

Mijëra qytetarë me autobusë dhe mjete private kaluan në Morinë mëngjesin e së premtes. Kjo krijoi kolona të gjatë deri në thellësi të territorit të Kosovës. Policia Kufitare operoi me procedurë të përshpejtuar.

Edhe pse u përurua dy ditë më parë unifikimi doganor, pala kosovare nuk punon në të njëjtën doganë me atë të Shqipërisë.

“Kam qenë edhe para një muaji, pritja njësoj është”.

“Si duket e njejtë është edhe këtë verë. S’po shoh asnjë ndryshim”.

Qytetarë të Kosovës thonë se asgjë nuk mund të sjellë përmirësim përveç heqjes së kufirit me Shqipërinë.

“Mua ma merr mendja patjetër duhet të bashkohemi”.

“Ky kufi duhet të hiqet. Jam për mendimin për t’u bashkuar”.

Përgjatë sezonit veror në këtë pikë kufitare, numri i hyrje-daljeve arrin në 30 mijë shtetas. Fluks turistësh ka patur edhe në Qafë Thanë. Nga kjo pikë kufitare gjatë një jave kanë hyrë 29.114 shtetas, shumica e tyre të huaj.

Pala shqiptare ka hapur 6 sportele, tre në hyrje dhe tre në dalje, ndërsa pala maqedonase punon me 3 sportele. Numri i sporteleve ndryshon në varësi të ngarkesës sidomos gjatë fundjavës, kur fluksi i lëvizjeve dyfishohet.

Sipas të dhënave nga drejtoria e kufirit, i lartë ka qenë edhe numri i qytetarëve që dalin nga territori ynë, të cilët janë kryesisht të huaj që kanë kaluar pushimet në Shqipëri. 24.179 shtetas kanë dalë nga Qafë Thana, gjatë javës së fundit, njofton Policia Kufitare./abcnews.al