Kryetari i Partisë Demokratike, dega Durrës Ferdinand Xhaferraj në një deklaratë për mediat ka denoncuar këtë të mërkurë emërimin e drejtorit të hipotekës në Durrës.
Xhaferraj është shprehur se Rama në 2019 shkarkoi drejtorin e hipotekës duke e cilësuar si halabak por në të vërtet në vend të tij ka emëruar halabakun si drejtor të shërbimeve në Bashki.
Ndër të tjera ai ka theksuar se ish drejtori i aluizmit Arben Isaku, pasi qëndroi katër muaj në qeli Isaku po shkon nga qelia tek Bashkia dhe tashmë ai po emërohet Drejtor i Drejtorisë Juridike në Bashki.
Deklarata e plotë:
Në vitin 2019, kryeministri Rama do të shkarkonte live drejtorin e hipotekës së Durrësit duke e etiketuar si halabak. Por, në Gusht të këtij viti Rama e emëroi halabakun si drejtor të shërbimeve në Bashkinë e Durrësit.
Në Dhjetorin e kaluar, për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, do të ndalohej ish drejtori i aluizmit Arben Isaku. Por, mbasi qëndroi katër muaj në qeli Isaku po shkon nga qelia tek Bashkia. Ai po emërohet Drejtor i Drejtorisë Juridike në Bashki. Për më keq dhe për më turp, në konkurimin fiktiv e qesharak është me kunatin e tij.
Isaku u lirua dhe po shpërblehet sepse zbatoi kodin e heshtjes së mafjes Rama. Askush nuk është dënuar për dramën që shkaktoi tërmeti. Sikurse e kemi theksuar disa herë, shqetësimi i Ramës nuk ka qenë të zgjidhë hallet e qytetarëve, por të shpëtojë Dakon nga hallet e tij.
Kjo është Bashkia e halabakëve dhe e të dënuarve, qytetarët e ndjejnë përditë dhe kjo u pa edhe dy ditë më parë ku qytetarët nëpërkëmbeshin dhe zvarriteshin në sheshin para Bashkisë.
Kjo është qeverisja në ikje e të denuarve dhe halabakëve./abcnews.al

