Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim kanë firmosur marrëveshjen e ekstradimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që zëvendëson traktatin e vitit 1933 të firmosur nga Faik Konica. Me marrëveshjen e re përditësohen kategoritë e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët.
Në këtë listë do të përfshihen edhe veprat penale me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti ose për një dënim më të rëndë.
Gjonaj tha se përmes këtij nënshkrimi tregohet një shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Ajo theksoi se marrëveshja shërben si sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit.
“Akti që formalizojmë sot përmes këtij nënshkrimi, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të Qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët.
Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”, u shpreh Gjonaj./mv.abcnews.al