Taulant Seferi ishte shumë pranë huazimit në një tjetër klub në merkaton e shkuar, por në fund asgjë nuk u arrit dhe sulmuesi ngeci te Young Boys, ku nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon.
Në një prononcim për Supersport në emisionin Zona Gol sulmuesi i kombëtares flet për të ardhmen, shortin e eliminatoreve të Botërorit 2022 dhe ndeshjen ndaj Tiranës në Play-Off të Europa League.
E ARDHMJA – “Duhej të largohesha që këtë verë, por merkato u mbyll shpejt për shkak të koronavirusit dhe nuk arrita të gjej një skuadër tjetër. Te Young Boys nuk kam luajtur fare, por jemi në bisedime me 2-3 skuadra të ndryshme dhe është edhe në interesin e klubit që të pranojë largimin tim në merkaton e janarit. Jam i bindur që do të bëj një lëvizje për mirë në janar, për të shkuar diku ku të mund të luaj rregullisht”.
KOMBËTARJA – “Trajneri Reja më ka grumbulluar edhe pse nuk kam luajtur te Young Boys, ndaj i jam mirënjohës. Unë nga ana ime jam munduar të jap maksimumin dhe të bëj atë që trajneri ka kërkuar prej meje në fushën e lojës. Jam gjithmonë gati për Kombëtaren dhe do jam 100% sa herë të më kërkohet”.
QATAR 2022 – “Është një short i vështirë, pasi Anglia është një nga kombëtaret më të mira në botë dhe Polonia është shumë e fortë gjithashtu, por ne kemi treguar shenja rritjeje. Që në Lituani e Kazakistan treguam rritje, por fati nuk deshi të fitojmë, ndërsa më pas në tre ndeshjet e fundit fituam me meritë dhe zhvilluam lojëra shumë të bukura. Me besim dhe angazhim maksimal, them se do bëjmë paraqitje dinjitoze edhe në eliminatore”.
NDESHJA NDAJ TIRANËS – “Isha në stadium bashkë me futbollistët e tjerë që nuk ishin grumbulluar për ndeshjen dhe me paraqitjen në 20 minutat e para, Tirana na befasoi të gjithëve. Më pas Young Boys e rriti nivelin dhe arriti të fitojë”, përfundoi Seferi. /abcnews.al