Si zjarret kapën në befasi banorët, kërkime për të humburit në Greqi

schedule12:32 - 25 Korrik, 2018

schedule 12:32 - 25 Korrik, 2018

Ekipet e shpëtimit në Greqi janë duke kërkuar këtë të mërkurë të gjithë shtëpitë dhe makinat e djegura nga zjarret më vdekjeprurëse që kanë goditur ndonjëherë vendin helen. Ata janë tashmë në një mision që duket shumë i vështirë, atë të gjetjes së personave të humbur pikërisht në vendet që u shkatërruan nga flakët.

Zjarret që shpërthyen në Athinë filluan të hënën dhe u ndihmuan nga erërat e fuqishme. Shpejtësia që ato u përhapën shumë veta i kapën në befasi, ç’ka bëri që të ishte edhe shkaktari kryesor i këtij bilanci tragjik.

Dëshmitarë të ngjarjes thonë se kanë qenë momente të tmerrshme dhe zjarri ka shpërthuar aq shpejt saqë nuk e kanë kuptuar.

“Nuk po shikonim zjarr. Erdhi papritur! Kishte aq shumë erë, saqë nuk e kuptuam si ndodhi”, tha Anna Kiriazova, 56 vjeç, e cila arriti të mbijetonte sëbashku me bashkëshortin e saj.

Ndryshe nga të tjerët që u përpoqën të arratiseshin, ata u mbyllën në shtëpi.

“U mbyllëm në shtëpi, mbyllëm gjithçka. Mbanim peshqirë në fytyrë. Ferri zjati rreth një orë. Nuk kam fjalë të përshkruaj atë që ndodhi”, tha ajo për mediat.

Ndërkohë bashkëshorti i saj, Theodoros Christopoulos, tha se vendosën të qëndronin në shtëpi për shkak se rrugët ishin të bllokuara nga makinat.

“Ishte një panik i madh sepse e gjithë rruga ishte bllokuar nga makinat. Të bërtitura, frikë, ata mund ta shikonin që flakët po vinin me erën. Qielli u nxi dhe sa hap e mbyll sytë flakët erdhën aty”, tregon ai.

Qindra të tjerë braktisën makinat dhe u arratisën drejt plazheve, ku u shpëtuan disa orë më vonën nga Roja Bregdetare dhe anijet private. Shumë të tjerë që t’i shpëtonin nxehtësisë notuan në det pavarësisht motit të keq.

Zëdhënësja e shërbimit zjarrfikës raportoi në mëngjes se numri i të vdekurve ka shkuar 81. Megjithatë fakti që ende ka shumë të zhdukur rrit frikën se ky bilanc tragjik mund të shtohet, madje mund të shkojë në numër treshifror sipas zëdhënëses.

Ndërkohë më shumë se 280 zjarrfikës janë vendosur në verilindje të Athinës në zonën e Rafinas, duke luftuar me vatrat e zjarrit që kanë mbetur ende. 200 të tjerë të ndihmuar nga një helikopter që hedh ujë janë në pyllin në perëndim të kryeqytetit grek, aty ku autoritetet evakuuan brenda natës tre fshatra.

Flamujtë në të gjithë Greqinë janë në gjysmë shtizë pasi kryeministri grek, Alexis Tsipras, shpalli 3 ditë zije të martën./abcnews.al