Video/ Lihen në burg hajdutja dhe bashkëpunëtori i saj

schedule10:59 - 25 Korrik, 2018

schedule 10:59 - 25 Korrik, 2018

Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 31-vjeçaren Anna Malaj dhe bashkëpunëtorin e saj, Emiljano Grembi, të cilët akuzohen për grabitjet me armë të karburanteve në Fier. Gjatë seancës, Malaj dhe Grembi kanë shprehur pendesë për krimet që kanë kryer.

Anna Malaj, që grabiste me armë karburantet bashkë me kushëririn Emiljano Grembi në Fier u paraqitën në gjykatë për masën e sigurisë. Nëna e dy fëmijëve të mitur tha në seancën gjyqësore se ndihet e penduar për krimet që ka kryer.

31-vjeçarja ka pranuar se vjedhjet i ka bërë nga nevoja për para pasi ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Ndërsa Emiljano Grembi ka pohuar se të dy në bashkëpunim kanë realizuar grabitjet me armë. Sipas tij, Ana dehej, kështu ishte më e çliruar për të vepruar.

Pasi dëgjoi dy të akuzuarit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Piro Sota vendosi t’i lërë në qeli kusherinjtë. Nëna e Emiljano Grembit, e cila priste vendimin jashtë gjykatës fajëson për gjithçka mbesën e saj.

“Çunin ma mori kjo mua. Ka ardhur te shtëpia më ka thënë që halle dua çunin se kam frikë se jam vetëm”, tha ajo.

Pas daljes nga seanca, 31-vjeçarja nuk dukej e shqetësuar madje ajo bën një gjest fyes para mediave. Anna Malaj  dhe Emiljano Grembi dyshohen si autorët e grabitjes me armë të një karburanti në Levan të Fierit më datë 2 Korrik të këtij vitit dhe të dy tentativave të tjera në Ballsh e Fier. Të dy rrezikojnë të vuajnë dënimin nga 3 deri në 10 vjet burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!