Bilanci i viktimave të zjarreve masive që kanë rrethuar Athinën vazhdon të rritet. Të dhënat që mbeten paraprake, flasin për 81 të vdekur në rajonin e Atikës lindore dhe 185 të plagosur, 23 prej të cilëve fëmijë, që ndodhen në gjendje të rëndë. Por autoritetet e lokalitetit të Rafinës kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të bëhet shumë shpejt me tre shifra. Sipas burimeve, shtëpitë e djegura nga flakët janë rreth 2 mijë dhe personat e konsideruar të humbur mbi 100.
Qyteza e Matit rezulton më e prekura nga zjarret. Gjatë së mërkurës, repartet e zjarrfikësve kanë gjetur atje trupat e pajetë të tre personave të tjerë, që e kanë çuar bilancin nga 76 në 79 të vdekur. Ndërsa sëfundmi dy të plagosur rëndë humbën jetën për shkak të plagëve të marra. Trupat e viktimave u gjetën në vende të ndryshme. Në një shtëpi, anëtarët e familjes, prindërit dhe dy fëmijët u gjetën me trupat të shkrumbuar, por të përqafuar.
Ndërsa një grup prej 26 personash u gjetën të përvëluar, në majë të një shkëmbi, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve. Shumë prej banorëve të lokalitetit turistik vërshuan drejt detit, por as atje nuk gjetën shpëtim. Të paktën 5 trupa të pajetë u rekuperuan në brigjet e Rafinës, ndërkohë që Roja Bregdetare u erdhi në ndihmë të paktën 700 personave të tjerë./abcnews.al