“Ata të tre dëmtuan ekipet, lojtarët ganezë nën nivelin tonë”, Memelli flet “troç”

schedule08:58 - 20 Dhjetor, 2020

schedule 08:58 - 20 Dhjetor, 2020

Ditën e djeshme u luajt Skënderbeu-Tirana dhe të dy ekipet u ndanë në barazim 1-1. Pas ndeshjes në emisionin Zona Gol në Supersport trajneri dhe ish-sulmuesi, Migen Memelli bëri analizën e tij dhe u ndal në cilësinë e lojtarëve ganezë të sjellë në këtë merkato nga të dy ekipet.

Për Danso, Sasraku dhe Mensah, opinionisti foli pa doreza dhe u shpreh se nuk janë në nivelin e kampionatit tonë dhe i kanë kushtuar pikë të humbura dy trajnerëve. Memelli shprehet se presidentët duhet të sjellin lojtarë të huaj më cilësorë se shqiptarët, teksa përmendi edhe disa llogari të presidentëve.

 

“Ndoshta jam më i drejtpërdrejtë sesa duhet, por është në karakterin tim dhe nuk kam për të ndryshuar kurrë. Më mirë t’i them gjërat në sy dhe nëse pastaj të tjerët i marrin për ters ky nuk është më problemi im. Të gjithë lojtarët me ngjyrë, që kanë luajtur sot në këtë ndeshje (Skënderbeu-Tirana) për të dy ekipet nuk janë lojtarë për nivelin e kampionatit tonë. I kanë kushtuar këtyre dy trajnerëve pikë.

Sasraku, Danso dhe Mensah i Skënderbeut jo vetëm në këtë rast, por edhe në ndeshjen me Laçin kur duhet të mbyllte llogaritë. Unë vazhdoj të kem bindjen sikurse në fillim se në kampionatin tonë duhet të vijnë lojtarë që të jenë mbi nivelin e atyre shqiptarë.

 

Nëse pastaj presidentët kanë qejf t’i marrin për llogaritë e tyre nuk është problemi jonë. Ne do i themi gjerat të drejtpërdrejta. Ndaj them: Sot Mensah i Skënderbeut i ka hequr tre pikët skuadrës së Ahmatajt sepse rezultati mund të ishte dyfishuar dhe si kjo edhe ndeshja me Laçin po në stadiumin Skënderbeu që humbi atë rast.

Në krahun tjetër Sasraku dhe Danso nuk po tregojnë asgjë. Sasraku një sulmues që ka shënuar vetëm një gol në 9 ndeshje. Një sulmues, që nuk tenton të godasë asnjëherë portën gjatë 90 minutave, por që gjithsesi kjo është pjesë, që i përket klubeve dhe menaxhimit që ato kanë”, u shpreh Memelli. /abcnews.al