Situata e Covid-19 në vend vijon të jetë shqetësuese.
Koronavirusi nuk kursen as “bluzat e bardha” të cilët janë në vijën e parë të rrezikut.
Mëngjesin e sotëm u nda nga jeta mjeku Mihal Kerci, prej ditësh në betejë me koronavirusi, por që fatkeqësisht nuk arriti ta fitojë.
Që nga fillimi i pandemisë, 25 mjekë kanë humbur jetën nga koronavirusi.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të bluzave të bardha.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkruan se sakrifica e tyre do të jetë bashkëshoqëruese e përhershme në kujtim të kësaj periudhe të vështirë, që po kalon vendi.
Statusi:
Me hidhërim të madh mësova për ndarjen nga jeta të mjekut Mihal Kërci.
Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjen, miqtë dhe kolegët e profesor Mihalit. Kjo është një tjetër humbje e rëndë për të gjithë ne dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të betejës për të shëruar të sëmurët me COVID-19, ndërsa vënë në rrezik jetët e tyre.
Të gjithë së bashku jemi përjetë mirënjohës për sakrificën sublime të mjekëve që humbën jetën në betejën për të shpëtuar jetë. Nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre do të jetë bashkëshoqërues i përhershëm në kujtim të kësaj periudhe të vështirë që po kalojmë.
Mjekë, infermierë, ndihmës-mjekë, teknikë, administratorë, vullnetarë, shoferë, roje, e shumë të tjerë – të rinj në profesion apo në pension – kanë vënë në rrezik dhe kanë humbur jetën gjatë këtyre muajve pandemie.
Mirënjohje dhe falënderime për stafet tona mjekësore! Ata janë heronjtë tanë në vijën e parë të betejës me COVID!
/abcnews.al/