Historikisht, Kruja është njohur si një qytet me traditë të fortë në shërbimin shëndetësor, ku ndër vite kanë ushtruar profesionin dhjetëra mjekë të përkushtuar, si në spitalin e qytetit, ashtu edhe në poliklinikë.
Sot, spitali i Krujës disponon tre salla operacioni dhe një staf mjekësor që vijon të ofrojë shërbime për qytetarët, ndërsa një pjesë e mjekëve e shtrijnë aktivitetin e tyre edhe në qytetet përreth, duke mbuluar nevojat e pacientëve në një zonë më të gjerë.
“Si specialist kam që në 1995. Tani vij çdo të premte në Krujë e Laç. Më përpara vinim me lloj-lloj mjeti, tani është më ndryshe. Fillimi ka qenë i vështirë për të ardhur. Këtu vij në 8 të mëngjesit deri kur mbarojnë rastet.”
Kjo traditë bashkëpunimi mes spitaleve nuk është e re. Ajo daton prej dekadash, kur mjekët e Krujës shërbenin edhe jashtë rrethit, në kushte shpeshherë të vështira.
Një prej tyre është edhe mjeku neuropsikiatër, 79-vjeçari Rifat Daci, i cili vijon ende të jetë aktiv në profesionin e tij.
“Kam fillu punë në 3 janar 1973 në spital, pastaj ika me specializim në Tiranë dhe u riktheva prapë në Krujë. Në Laç kam qëndruar nga 1974 deri në 1992, sepse nuk kishte specialistë. Vazhdoj akoma në punë, edhe pse jam 79 vjeç.”
Ai kujton se në ato vite, shërbimi mjekësor realizohej në kushte shumë të vështira, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj pacientëve.
“S’ka pas as telefon atëkohë. Kishim vështirësi, duhet të vije në çdo kohë kur paraqitej rasti. Me autobus në 6 të mëngjesit niseshim, sepse duhet të mbuloje gjithë javën. Fshat pa shkuar ku kishte të sëmurë nuk kam lënë. Kemi rreziku duke shku te i sëmuri me makinën personale. Ka qenë e vështirë, nuk prisnim autoambulancën.”
Pavarësisht sfidave, mjekët e asaj kohe mbahen mend për profesionalizmin dhe humanizmin e tyre.
“Kanë pasur respekt, kanë qenë mjekë të mirë dhe të njohur, me eksperiencë dhe shumë humanë që i përgjigjeshin të sëmurëve.”
Edhe sot, kjo frymë përkushtimi vijon të trashëgohet nga brezat e rinj të mjekëve.
“Tani na janë plotësuar vakancat e specialistëve. Kemi pasur mungesa në radiologji, por tani pothuajse janë mbuluar dhe kemi staf më të plotë.”
Ndërkohë, mjekë me eksperiencë mbi tre dekada vijojnë të japin kontributin e tyre, duke përballuar edhe periudha të vështira si pandemia.
“Kam mbi 30 vite që punoj në spitalin e Krujës. Ka shumë mjekë që janë vlerësuar për kontributin e tyre. Periudha më e vështirë ka qenë ajo e koronavirusit, kishte frikë, por pacientëve duhet t’u shërbeje.”


