FDA autorizon vaksinat anti-COVID, eksperti në SHBA: Dërgesat e para shpërndahen të dielën

schedule21:21 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 21:21 - 12 Dhjetor, 2020

Dërgesat e para të vaksinës Covid-19 të Pfizer dhe BioNTech do të shpërndahen të dielën pasi FDA autorizoi vaksinën për përdorim emergjent në SHBA. “Ne kemi rritje të viktimave çdo ditë këtu në SHBA por tani kemi këtë vaksinë të zhvilluar në një kohë rekord që mund të na shpëtojë vërtet dhe të shpëtojë vendin tonë dhe të shpëtojë botën nga kjo pandemi e tmerrshme”, tha mjekja e urgjencës Dr. Leana Wen për Chris Cuomo të CNN disa momente pas autorizimit mbrëmjen e së premtes.

Autorizimi erdhi pas një prej ditëve më të këqija të pandemisë për SHBA, me numra rekord të rasteve të reja, vdekjeve dhe pacientëve me Covid-19 në spitalet e SHBA. Komisioneri i FDA-së Dr. Stephen Hahn e konsideroi këtë një moment historik. Ai tha se kjo vjen pas një “procesi të hapur dhe transparent të shqyrtimit që përfshinte të dhëna nga ekspertë të pavarur shkencorë dhe të shëndetit publik”.

Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) autorizoi vaksinën e kompanisë Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent, duke i hapur rrugën vaksinimit të miliona njerëzve. Autorizimi i vaksinës shënon një pikë kthese në Shtetet e Bashkuara, ku pandemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 292 mijë njerëzve. Në fillim të javës, Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të viktimave, me mbi 3100 të vdekur nga COVID-i brenda një dite./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!