KED së shpejti me rregullore

schedule09:42 - 19 Korrik, 2018

schedule 09:42 - 19 Korrik, 2018

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet që së shpejti të miratojë rregulloren. Kjo ishte përgjigjia që erdhi pas interesimit të ABC News pranë këtij institucioni mbi afatet dhe procedurën e miratimit të rregullores. Miratimi i saj do të bëjë të mundur zhbllokimin e procesit e plotësimit të katër vakancave në Gjykatën Kushtetuese, të mbetur vetëm me 1 anëtar nga 9 të tillë të parashikuar në Kushtetutë dhe ligj.

Nuk është gjyqtar, as prokuror, por është viktima e radhës së procesit të Vetting-ut.

Pas zhbërjes së trupës së Gjykatës Kushtetuese të mbetur vetëm me kryetarin e saj dhe gjymtimit të trupës së Gjykatës së Lartë në 6 nga 19 anëtarë, duket se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i krijuar mbi ndryshimet kushtetuese të 21 Korrikut 2016, ka rënë pre e procesit të Vettingut.

Edhe pse me trupë të zgjedhur prej Tetorit 2017, me mandat kushtetues prej 1 Janarit 2018 dhe i konstituuar në 19 Mars 2018, ky Këshill, përgjegjës edhe për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për gjyqtar Kushtetues, mbetet në pritje të miratimit të rregullores së saj të brendshme. Arsyet për vonesën i shpjegoi për ABC News zëdhënësja për media pranë këtij institucioni.

“Në mbledhjen e parë, u caktua grupi i punës për hartimin e rregulloreve përkatëse, i përbërë nga 3 anëtarë të KED-së, përkatësisht,  Z. Artan Broci, Zj. Altina Xhoxhaj dhe Zj.Vitore Tusha. Gjatë punës për hartimin e rregulloreve 2 prej anëtareve u erdhën materialet nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke i angazhuar në mënyrë prioritare në këtë process, i cili përfundimisht shkarkoi një prej tyre. Në këto kushte e gjithë pesha e hartimit të rregulloreve mbeti mbi anëtarin Artan Broci”.

Ky i fundit, njëkohësisht kryetar i KED, si njofton vetë institucioni, ka përfunduar hartimin e rregullores duke ia përcjellë edhe anëtares Vitore Tusha, e cila ka depozituar vërejtjet dhe sugjerimet e saj. Draftet e tre rregulloreve, të cilat përcaktojnë edhe kriteret e pikëzimit të kandidatëve për gjyqtar Kushtetues presin edhe një opinion zyrtar të miisionit Euralius. Sa i përket listave me këta kandidatë të depozituar nga Gjykata e Lartë, Presidenti dhe Kuvendi…

“Janë administruar të gjitha listat dhe dokumentacionet e depozituara pranë Institucioneve respektive. Por nuk mund të nisë verifikimi i kandidateve, pa u përcaktuar më parë rregullat e shortit, të cilat janë përfshire në Rregulloret që do miratohen së shpejti”.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, e cila do të kthejë në funksional Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ky i fundit ka një afat kushtetues prej 15 ditësh për vlerësimin dhe renditjen në tre lista kandidatët për gjyqtar Kushtetues të ardhura nga Gjykata e Lartë, Presidenti dhe Kuvendi në plotësimin e katër vakancave të trupës së Gjykatës Kushtetuese./abcnews.al