Organizata ndërkombëtare për emigracionin, bëri të ditur se janë gati 1500, personat që kanë humbur jetën në Mesdhe, në përpjekje për të arritur në brigjet e Europës. Ndërkohë një anije me 40 emigrantë në bord është bllokuar prej ditësh, në brigjet e Tunizisë. Tunizia, Italia dhe Malta nuk lejojnë zbarkimin e tyre në portet përkatëse.
Një anije me 40 emigrantë në bord është bllokuar prej ditësh në brigjet e Tunizisë. Tunizia, Italia dhe Malta nuk lejojnë zbarkimin e tyre në portet përkatëse. Emigrantët ishin nisur nga Libia, një javë më parë dhe pas një avarie qëndruan në det për pesë ditë pa ushqim dhe ujë. Ekuipazhi i anijes ka bërë të ditur se ka në bord persona të plagosur dhe një grua shtatzënë.
Një nga anëtarët e ekuipazhit tregoi se situata është kritike dhe ka rezerva ushqimore vetëm për dy ditë. Autoritetet tuniziane shpjeguan se nuk duan të presin emigrantë pasi nuk dëshirojnë të bëhen një port i sigurtë për shtetet europiane.
Emigrantët vijnë nga Egjipti, Mali, Nigeria dhe Bangladeshi. Ata u sinjalizuan nga punëtorët e një platforme nafte tuniziane, të cilët i ndihmuan me ushqim dhe ujë.
Ndërkohë organizata ndërkombëtare për emigracionin bëri të ditur se janë gati 51 mijë refugjatët që kanë mbërritur në Europë nëpërmjet detit që nga fillimi i 2018-s. Ndërsa për të njëjtën periudhë janë 1.443 personat që kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur brigjet europiane. Itenereari i Mesdheut qendror drejt Italisë mbetet më vdekjeprurësi me 1.104 viktima që nga fillimi i vitit 2018./abcnews.al