Dita e dytë e protestave në Korçë dhe Bulqizë për vrasjen e Klodian Rashës ka sjellë reagimin e policisë. Sipas bluve ka nisur hetimet për 9 persona në Korçë dhe 7 të tjerë në Bulqizë. Uniformat blu bëjnë me dije se nga protesta e zhvilluar në Korçë ka mbetur i lënduar punonjësi i policisë M. J., i cili mori mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën dhe goditën për shkak të detyrës punonjësin e policisë, procedohen penalisht 9 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera, në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Bashkisë Korçë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: S. M., 30 vjeçe; E. M., 21 vjeç; H. K., 23 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. Dh., 27 vjeç; E. T., 27 vjeç; Gj. L., 22 vjeç; S. D., 41 vjeç; D. H., 38 vjeç, banues në Korçë e Maliq.
Shtetasit e lartpërmendur, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Bashkisë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama, kanë shkatërruar dekoret festive, kanë djegur dy bredha dhe kanë goditur me sende të forta në kokë për shkak të detyrës, punonjësin e policisë M. J., i cili mori mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Korçës.
Ndërkohë në Bulqizë personat e vënë nën hetim, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë për tu shpërndarë. Tashmë materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme
“Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësve të policisë, procedohen penalisht 7 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë, në përfundim të veprimeve të kryera, në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve: A. T., 24 vjeç; D. C., 22 vjeç; D. Gj., 24 vjeç; E. B., 20 vjeç; O. D., 20 vjeç; P. T., 48 vjeç; A. SH., 20 vjeç; banues në Durrës e Bulqizë.
Shtetasit e lartpërmendur, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk janë bindur urdhërave të punonjësve të policisë për tu shpërndarë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Bulqizës./mv.abcnews.al