E mbetur jashtë sheshit dhe skenës politike, PD po tenton të futet me të gjitha mënyrat në protestën e bulevardit. Pasi Sali Berisha importoi aktivisten Julinda Emirin, nga bulevardi në krye të Këshillit Kombëtar demokrat, një sërë figurash të tjera me poste janë shfaqur në protestë, duke folur në emër të qytetarëve.
Një prej tyre, Xhulia Xhekaj, ish kandidate për deputete të PD në vitin 2025, në listën e hapur të Tiranës, së fundmi e zgjedhur anëtare e Këshillit Kombëtar demokrat. Ajo shfaqet paradite në PD, e pasdite në protestë si qytetare e thjeshtë.
Në protesën e dhunshme para parlamentit, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari denoncoi një tjetër eksponent të PD. Preng Lala, drejtues i PD për Mamurrasin, ishte në ballë të protestuesve që plagosën 9 policë.
Eda Grimçi, kryetare e degës nr 9 në Tiranë, së fundmi e zgjedhur në Kryesinë e re të PD, u konfrontua me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja në dalje të parlamentit duke i përmendur kërkesat e qytetarëve.
Jo vetem kaq… Figura të larta në PD, si Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti apo deputetë të tjerë si Gjin Gjoni kanë marrë pjesë në protestën në bulevard, kurse Jorida Tabaku marshon bashkë me qytetarët, madje kërkon bashkë me ta para komisariatit edhe lirimin e protestuesve të dhunshëm.
Të gjitha këto, në direktivën e qartë të Sali Berishës, i cili u ka bërë thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestë. Por në mënyrë tërthorazi. Kur vjen puna te përballja me protestuesit, në parlament, para godinës ku protestuesit kërkojnë llogari, deputetët demokratë bojkotojnë seancën. Është ajo që di Sali berisha të bëjë më mirë, hidh gurin, fshih dorën./abcnews.al



