Kryeministri Edi Rama u shpreh sonte se Lulzim Basha është i fundit që mund të akuzojë dhe flasë për vrasjen e të riut dy ditë më parë, pasi sipas kreut të qeverisë, ai është ministri i Brendshëm i “21 Janarit” që u vranë 4 protestues.
“Tragjedia është një episod i shkëputur, i pafalshëm por pa asnjë lidhje me punën dhe frymën e policisë së shtetit, kush mendon ndryshe mendon politikisht, por nuk ka fakte.
Presidenti i Republikës është një nga nxitësit dhe organizatorët e atyre që kujtova pak më lart dhe nuk e ka thënë kurrë një fjalë solidariteti, por është një ndër shembujt më të këqij. Sidoqoftë është i parafundit, pasi i fundit që mund të japë gjykime apo si të reagojë ministri i Brendshëm është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha.
Ai është ministri i Brendshëm i masakrës së 21 janarit. Ishte qeveria, kryeministria e kthyer në një bunker, që vrau 4 protestues paqësor. Policia e shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje.
Ministri i Brendshëm nuk janë as të rënë nga qielli as pa gabime, ama askush nuk mund të ngrejë akuza në drejtim tyre, as se janë të lidhur me krimin apo të korruptuar apo mbingarkuar politikisht” tha ai. db/Abcnews.al