Dybala te Bayerni, mjeshtri Pirlo dhe CR7: Rrëfehet Karl-Heinz Rummenigge

schedule16:13 - 10 Dhjetor, 2020

schedule 16:13 - 10 Dhjetor, 2020

Paulo Dybala te Bayern Munchen? CEO i rekordmenëve gjermanë, Karl-Heinz Rummenigge ka folur për Tuttosport rreth mundësisë së transferimit të argjentinasit të Juventusit në Bavari.

I kam dëgjuar këto thashetheme, por ju garantoj se nuk është aspak e vërtetë. Asnjëherë nuk kemi pasur kontakte serioze me menaxherin e tij“, deklaron Rummenigge, i cili ndalet edhe te kampionët e Italisë, duke thurur elozhe për Andrea Pirlon dhe Cristiano Ronaldon.

Kam bindje se Pirlo do të ketë sukses si trajner i Juventusit. Ka qenë një mjeshtër i vërtetë në fushë dhe i tillë do të jetë edhe në pankinë.

Zhvilluan një ndeshje fantastike në ‘Camp Nou’, përmbysën rezultatin e Torinos ndaj Barcelonës dhe ia dolën të siguronin vendin e parë në grup.

U ndje dora e Pirlos. Juventusi mbetet gjithmonë një kundërshtar për të mos u nënvlerësuar, një klub i tillë meriton respekt të madh.

Mos të harrojmë që kanë edhe CR7, i cili vazhdon të më befasojë nga viti në vit. Presidenti Agnelli më ftoi kohët e fundit për të parë qendrën e re stërvitore.

Pashë Cristianon në dhomat e zhveshjes, po i nënshtrohej trajtimeve të tij të zakonshme. Ishte duke buzëqeshur, si gjithmonë. Ka pak lojtarë si ai.

Është gjithmonë pozitiv në aspektin mental dhe bën diferencën, ia del të shënojë gola dhe të udhëheqë skuadrën në çdo moment“, deklaron Rummenigge. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!