Nuk do të ketë një ekspertizë të dytë për vdekjen e 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili vdiq në ambientet e komisariatit të policisë së Korçës. Prokuroria nuk ka pranuar me arsyetimin se nuk ka gjetur shkak të ligjshëm, që ekspertimi të përsëritet.
Prokuroria e Korçë refuzoi riekspertimin e organeve të 27-vjeçarit Enea Ftoi, i cili humbi jetën brenda në ambientet e komisariatit të policisë.
Riekspertimi i organeve u kërkua nga avokatët e familjarëve. Ata nuk kishin pranuar ekspertizën mjeko-ligjore, sipas së cilës Enea Ftoi kishte vdekur për shkaqe natyrore, duke kërkuar një tjetër ekspertim, nga tjetër grup.
Pas përgjigjes së prokurorise reagojnë prindërit e Enea Ftoit që thane se nuk e kuptojnë pse prokuroria nuk ka pranuar riekspertimin e organeve. Sipas tyre po mundohen të fshehin të vërtetën për vdekjen e Enea Ftoit.
“Kemi prova që Enea është dhunuar nga policia në ambientet e Komisariatit të Korçës. Kemi video dhe foto, që provojnë dhunën e policisë. Në rrobat e Eneas tek atletet kemi gjetur gjurmë gjaku. Kërkojmë ekspertë të huaj. Jemi të bindur që Enea ka vdekur nga dhuna. Do ta kërkojmë të vërtetën deri në Gjykatën e Strazburgut“.
Burime nga prokuroria thanë për ABC News se kërkesa e avokatëve për riekspertim të organeve të Enea Ftoit nuk është pranuar, pasi akuza nuk ka gjetur shkak të ligjshëm, që ekspertimi të përsëritet. Sipas prokurorisë, ekspertiza mjeko-ligjore nuk e cënon ecurinë e hetimeve për vdekjen e Enea Ftoit, për të cilën janë vënë nën akuzën e mosdhënies së ndihmës tre efektivë të Komisariatit të Korçës./abcnews.al