Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi, reagon policia e Shtetit: Jemi të prekur, po analizojmë shkaqet

schedule14:46 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 14:46 - 9 Dhjetor, 2020

Policia e Shtetit thotë se po analizohen të gjitha shkaqet, veprimet apo mosveprimet që çuan në vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë mbrëmjen e të hënës. Në reagimin e saj zyrtar, ajo thotë se të gjithë janë të prekur nga ngjarja e rëndë.

“Në emër të punonjësve të Policisë së Shtetit, të prekur nga ngjarja e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Tiranë, e cila përfundoi me vrasjen tragjike të të riut Klodjan Rasha, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, të afërmve dhe qytetarëve të lënduar nga ky akt.

Pas ngjarjes së ndodhur, krahas hetimeve të nisura nga organet e pavarura, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, strukturat përgjegjëse në Policinë e Shtetit po analizojnë në mënyrë intensive të gjithë shkaqet, veprimet, mosveprimet apo faktorë të tjerë që çuan në incidentin fatal.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar në detyrën e saj për rritjen e sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe të drejtave të çdo qytetari”, thuhet në reagim./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!