Bylykbashi: Ky nuk është Vetting, por bandit-ing

schedule14:52 - 15 Korrik, 2018

schedule 14:52 - 15 Korrik, 2018

Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, ironizon drejtësinë shqiptare përmes një statusi në rrjetin social Facebook ku vë përballë standardin e përdorur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarët dhe prokurorët që po kalojnë vettingun, me vendimin më të fundit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për ish-kreun e bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi.

Nëse një gjyqtar do ishte parë në shoqërinë e Elvis Rroshit, a do të përbënte kusht skualifikimi në procesin e Vettingut?

Pyetja shtrohet nga nënkryetari i reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook vë përballë dy raste, për të dalë në një konkluzion.

“Në këtë Drejtësinë e Reformuar me mbikqyrje nga OMN, Vettingu heq gjyqtarin që ka dhënë dënime me burg për kriminelë, por ai që ka “përdhunuar në grup” dënohet me “punë në komunitet” pra lihet i lirë”.

Ky nuk është vetting, shkruan deputeti demokrat Bylykbashi, por bandit-ing, duke ironizuar kështu atë që konsideron standart të dyfishtë të drejtësisë shqiptare.

Për argument kujton rrezikimin e mandatit të gjyqtarit të gjykatës së lartë,  për të cilin Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kërkoi ndërprerjen e mandatit edhe për shkak të “kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar” dhe e vë përballë vendimit të Gjykatës së Tiranës për Elvis Rroshin, të dënuarin për përdhunim në grup, plagosje me armë zjarri dhe vepra të tjera penale të kryera me emra të ndryshëm, falsifikues i formularit të dekriminalizimit.

Ky i fundit, thekson Bylykbashi, u dënua me vetëm 60 orë punë në komunitet edhe pse vetëm falsifikimi i formularit të dekriminalizimit, sipas ligjit, të çon në burg.

Pashë Elvis Rroshin të dilte i qeshur e me kokën lart nga gjykata, shkruan Bylykbashi…

“Në atë buzëqeshje, ai shprehte triumfin mbi drejtësinë me ndihmën e tutorit të tij politik. Kjo është ftesë e re për kriminelët. Na ndihmoni me vota të blera, ne jua shperblejme me poste, ju mashtroni ne formularin e dekriminalizimit se maksimumi dy muaj punë në komunitet do të dënoheni”.

Fati i Elvis Rroshit ishte se në 2011-n ishte shok armësh në luftën për pushtet të Edi Ramës, i cili e përdori për të thyer bastionin demokrat të Kavajës, ndaj Elvis apo Ervin Rroshit dhe të ngjashmëve të tij që kanë kryer krime të rënda, i ka lindur ylli me Edi Ramën, përfundon demokrati Oerd Bylykbashi./abcnews.al